Dekanët kërkojnë akreditim të programeve në doktorata
Prishtinë, 4 shkurt - Debat brenda sallave ku votohej, votime në raunde maratonike dhe me kundërkandidatë shumë të votuar, kanë përcjellë të mërkurën zgjedhjet për dekanë, në katër fakultetet e Universitetit të Prishtinës.
Megjithëkëtë, dekanë të rinj janë zgjedhur në tri fakultete: në Bujqësi - Skender Kaçiu, Inxhinieri-Ahmet Shala, dhe në Sporte - Musa Selimi. Ndërsa në Fakultetin e Edukimit është rizgjedhur dekan, Ethem Çeku edhe për një mandat të dytë, shkruan sot Koha Ditore.
Por pikërisht në këtë Fakultet është thyer rutina e praktikës së zgjedhjes së dekanëve. Aty u kërkua që kandidatët për dekanë, Ethem Çeku dhe Eda Vula, të flasin para votuesve në sallë për planet e punës së tyre, në mënyrë që ti bindin ata përse duhen dhënë votën.
Këtë debat e ka nxitur profesori Kastriot Buza, kërkesa e të cilit është diskutuar edhe në nivel të Komisionit Qendror Zgjedhor, nëse duhet përfillur ose jo.
Ndryshe, dekanët theksuan se synojnë zhvillimin e programeve të doktoratave nëpër fakultetet e tyre.
/Koha Ditore/