Dakordohen për unifikimin e mësimit të gjuhës shqipe për diasporën
Prishtinë, 11 mars - Ministri i Diasporës, Valon Murati, dhe ministrja e Arsimit dhe e Sportit, znj. Lindita Nikolla, në një takim u dakorduan në parim që në mbledhjen e ardhshme të dy qeverive ta procedojnë për nënshkrim marrëveshjen për unifikimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë.
Ky projekt është punuar tanimë dy vjet nga grupet e ekspertëve të Ministrisë së Arsimit të Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, si dhe Ministrisë së Diasporës, ndërsa ka për qëllim unifikimin dhe standardizimin e mësimit të gjuhës shqipe për diasporën, licencimin e mësimdhënësve dhe projekte të tjera që kanë të bëjnë me ruajtjen e identitetit, kulturës, traditës, historisë dhe gjuhës shqipe në diasporë.
Do tju mbështesim si Ministri e Diasporës në të gjitha përpjekjet tuaja që i ndërmerrni në të mirën e diasporës sonë. E kemi detyrim si Qeveri që tu mundësojmë bashkatdhetarëve tanë mësimin e gjuhës, traditës, kulturës dhe historisë , theksoi ministrja Nikolla në takimin me ministrin Murati.
Në anën tjetër, ministri i Diasporës, z. Valon Murati, përshëndeti gatishmërinë e ministres Nikolla për të nënshkruar këtë marrëveshje jashtëzakonisht të rëndësishme për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë.
Ne, së bashku, do ti diskutojmë edhe modalitetet e punës për mësimin plotësues në diasporë. Qasja ndaj gjeneratave të reja duhet të jetë më inovative, duke përfshirë edhe teknologjinë informative. Kjo marrëveshje do ti sjellë dobi jo vetëm diasporës sonë, por edhe dy shteteve tona, tha ministri Murati.