Certifikohen nxënësit pjesëmarrës të kampit veror "Roboti KS"
Mitrovicë, 26 qershor - Me prezantimin e punës katër ditore, vënien në funksion të robotëve të punuar ; robotit ndërtimtar, atij aligator, kitarës robotike, robotit skenar dhe atij eksplorues, ka përfunduar edicioni i kampit veror \"Roboti KS\", ku morën pjesë nxënësit e dhjetë shkollave fillore të Mitrovicës.
Drejtoresha e arsimit, Ajmane Barani, ka përgëzuar nxënësit për punë e kryer, duke e konsideruar si dëshmi e angazhimit dhe përkushtimit të personelit, por edhe prezantimi i dijës së vetë nxënësve. Ajo u shpreh e bindur se vitin e ardhshëm kampi do të gjejë mbështetje edhe më të madhe dhe shtrirje në të gjitha shkollat fillore të komunës.
Në këtë kamp, për katër ditë në grupe kanë punuar nxënësit, me të cilët janë marrë udhëheqësja e kampit, Anduena Ademi-Jusufi nga shkolla \"Musa Hoti\" dhe arsimtaret Azize Uka dhe Pakize Krasniqi nga shkolla \"Migjeni\" dhe \"Eqrem Çabej\". Të angazhuar kanë qenë kryesisht nxënës të klasave të gjashta deri në të nënta, por ka pasur edhe nga klasa e tretë dhe pestë.
Nxënës që kanë qenë pjesëmarrës në kamp, sot janë certifikuar nga drejtoresha e arsimit, Ajmane Barani dhe përfaqësuesi i USAID-it sektori për arsim, Arsim Ilazi.
Gresa Hajra, pjesëmarrëse në kamp ka falënderuar Drejtorinë e Arsimit dhe USAID-in për mbështetjen në organizimin e kampit, duke shpresuar se kampi do të vazhdojë edhe viteve të ardhshme me shtrirje më të gjerë.