Certifikohen 47 kandidatë qe kanë dhënë provimin e Jurisprudencës
Prishtinë, 12 nëntor - Puna dhe angazhimi në sistemin e drejtësisë, në veçanti në vendet e tranzicionit, nuk duhet të kuptohet vetëm si profesion, por edhe mision, tha Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, gjatë ceremonisë së certifikimit të 47 kandidatëve të cilët kanë dhënë provimin e Jurisprudencës.
Ministri Kuçi, tha se kandidatët që kanë dhënë provimin e Jurisprudencës i kanë hapur dyert vetës që të jenë pjesë e sistemit të drejtësisë, sistem në të cilin bëjnë pjesë gjykatat, prokuroritë, avokatura etj.
Provimi i Jurisprudencës është një punë e cila ju detyron të merreni vetëm me drejtësi, kjo nënkupton që duhet të merreni me gjyqësi, prokurori, avokati si dhe çështje tjera që do ti ndihmonin drejtësisë në Kosovë, tha Kuçi.
Ministri Kuçi, tha se në vendin tonë ndër të tjera, tri gjëra janë kryesore; rendi dhe ligji, ekonomia dhe integrimet europiane. Nuk ka ekonomi dhe integrime nëse në një vend nuk ka rend dhe ligj, ndërsa rend dhe ligj nuk do të ketë nëse nuk ka gjyqtarë, prokuror dhe avokat të mirë dhe njerëz të cilët punojnë në sistemin e drejtësisë tha Kuçi.
Kuçi tha se, kandidatë pa marrë parasysh se në cilën pozitë punojnë, çoftë si gjyqtar, prokuror apo avokat, ata i bashkon ligji dhe e drejta.