Certifikohen 16 mësimdhënës për metoda të reja
Prishtinë, 5 tetor - Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), në bashkëpunim me KulturKontakt-Austria ka organizuar konferencën me temën Qasje të reja në Mësimdhënie dhe Mësimnxënie-Diferencimi dhe Individualizmi.
Me rastin e përfundimit të projektit u bë edhe certifikimi 16 mësimdhënësve për trajner për metoda të reja të mësimdhënies.
Zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, tha se Ministria e Asimit, Shkencës dhe Teknologjisë është e përkushtuar që të rrisë cilësinë në arsim.
Tashmë ka kaluar periudha e emergjencës për ndërtim të hapësirave shkollore dhe po punohet në modernizimin e tyre, si dhe rritjen e performancës së mesimdhënësve, aftësimin për mësimdhënie me metodat bashkëkohore të mësimdhënies, ka thënë zv.ministri Mustafa.
Sipas zëvendësministit Mustafa, MASHT në bashkëpunim me donatorë ndërkombëtarë në vazhdimësi ka organzuar trajnime të ndryshme ndërkohë që mësimdhënësit e trajnuar tash e tutje do të certifikohen per secilin trajnim që ata do ta mbajnë.
Kjo do të ndikojë në vetëdijësimin e tyre për vlerën që kanë trajnimet në aftësimin profesional e që do të merren parasysh me rastin e Licencimit, tha Mustafa.
Ministria e Arsimit ka finalizuar 4 dokumente bazike zhvillimore të arsimit në Kosovë, të cilat do të ndikojnë në rritjen e cilësisë në arsim.
Zëvendësministri Mustafa tha se gjatë muajit nëntor të këtij viti për herë të parë do të bëhet pilotimi i vlerësimit të performancës së mësimdhënësve dhe se Procesi i Licencimit do të fillojë gjatë vitit 2012.
Një fjalë rasti e mbajti edhe znj.Monika Mott, udhëheqëse e Departamentit të bashkëpunimit për arsim, e cila tha se çështja e metodologjive të reja mësimore është diçka e vazhdueshme dhe asnjëherë nuk mund të thuhet e përsosur, por synimi është që të krijojmë ambient të mirë për të gjithë, që të kemi mësimdhënie cilësore ashtu që të kemi sa më pak analfabet profesional dhe sa më pak braktisje të shkollimit. Në këto procese Ministria e Arsimit është një partner i shkëlqyeshëm, tha znj. Monika Mott .
Në këtë Konferencë ku u prezantuan edhe sukseset e projektit të KulturKontakt morën pjesë edhe Xhavit Dakaj, sekretari i Përgjithëshëm i MASHT, drejtorë shkollash e mësimdhënës, si dhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar, mbështetës të proceseve të arsimit në Kosovë.