Çerdhet e reja furnizohen me material didaktik dhe kënde të punës
Prishtinë, 26 tetor - Komuna e Prishtinës ka krijuar një model të qëndrimit ditor në çerdhet me bazë në komunitet, për edukim të hershëm të fëmijëve.
Ekzistojnë 6 çerdhe të tilla, të cilat janë me kosto të përballueshme, dhe qëndrimi i fëmijëve në to subvencionohet nga Komuna varësisht të ardhurave që i kanë prindërit e atyre fëmijëve.
Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me UNICEF-in pas vizitës së përbashkët në çerdhet me bazë në komunitet u dakorduan për nevojën e ngritjes së kapaciteteve edukative dhe përmirësimin e cilësisë së qëndrimit ditor.
Me këtë rast, UNICEF është angazhuar të sigurojë kënde të punës/leximit si dhe material didaktik, të cilat i ka dhënë si donacion sot nëpër këto çerdhe.
Kjo është vetëm një nismë e një bashkëpunimi në mes të Komunës së Prishtinës dhe zyrës së UNICEF-it në fushën e edukimit dhe zhvillimit të hershëm të fëmijës, duke konsideruar se ngritja e cilësisë së programit edukativ dhe investimi në këtë grupmoshë është një ndër prioritetet e programit të UNICEF -it në Kosovë.