Çdo student merr bursën që e ka fituar sipas konkursit
Prishtinë, 3 maj - Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina njofton të gjithë studentët të cilët kanë aplikuar për bursë universitare, se tashmë ka marrë vendim për t’i ndarë bursë çdo studenti që i ka plotësuar kriteret e parapara sipas konkursit, përkatësisht rritjen e numrit të bursave përtej limitit prej 1000 bursave, të përcaktuar me vendimin e KD-së nr.311 të datës 7.2.2014.
Të hënën, më 5. 5. 2014, në orët e paradites listat me emrat e studentëve bursistë do t’u shpërndahen njësive akademike përkatëse dhe të njëjtat do të publikohen në faqen elektronike të universitetit.
Këshilli Drejtues bën të ditur se ky vendim është marrë qysh të mërkurën e kaluar pas takimit me studentë, por është parë e nevojshme të ftohet edhe një takim i rregullt i Këshillit Drejtues, për të enjten e ardhshme 8.5.2014, për të gjetur zgjidhjen e duhur për fondin e zvogëluar ndjeshëm prej nga janë alokuar mjetet shtesë për bursat e studentëve.