15 Nëntor 2024

Cakolli ishte deputet konstruktiv

Prishtinë, 16 shtator - Në Sallën e Kuqe të Fakultetit Filologjik në Universitetin e Prishtinës, është mbajtur një mbledhje komemorative me rastin e vdekjes se ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, profesor, Heset Cakolli.

Në këtë mbledhje komemorative në emër të Kuvendit të Kosovës një fjalë rasti ka mbajtur deputetja e PDK-së, Sala Berisha-Shala. Ajo ka thënë se lajmi për vdekjen e ish-kolegut deputet, Heset Cakolli, i ka goditur të gjithë.

“Ikja e tij e hershme dhe kaq e papritur, që nga dita e djeshme, na ka mbushur me trishtim, prandaj dhe sot para jush unë e kam shumë të vështirë të flas. Sidoqoftë, më lejoni në fillim që në emër të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, t’ua shprehë ngushëllimet më të thella anëtarëve të familjes Cakolli dhe t’u them se, profesor Heset Cakolli do të jetojë gjatë në kujtesën e të gjallëve - si profesor dhe intelektual me dinjitet të lartë njerëzor e kombëtar, dhe si përfaqësues i popullit në Kuvendin e Kosovës, në periudhën më të bujshme historike të tij”, ka thënë Berisha-Shala. Ajo ka thënë se ish-deputeti Cakolli ishte i përkushtuar në punë.


“Ne ish-kolegët e tij deputetë të Kuvendit të Kosovës, e kujtojmë dhe e nderojmë profesor Heset Cakollin si një shembull ekzemplar i përkushtimit në punë, i përgjegjshmërisë së lartë politike dhe kombëtare në punët shtetërore; e kujtojmë dhe nderojmë për këmbëngulësinë dhe për guximin intelektual për t’iu rrekur njëherësh dhe pa dilema, të gjitha sfidave të shoqërisë”, ka thënë ajo. Më tutje ajo ka thënë se të qenit deputet në Kuvendin e Kosovës për Heset Cakollin, përveç përgjegjësisë qytetare, ka qenë edhe mision historik, duke qenë se legjislatura e Tretë, në të cilin ai ishte deputet, e përgatiti dhe e shpalli pavarësinë e Kosovës më 17 Shkurt të vitit 2008.

“Sot, në ditën kur po ndahemi përgjithmonë prej Profesor Heset Cakollit, ne e kujtojmë atë me shumë respekt, e kujtojmë për entuziazmin dhe gëzimin e tij të papërmbajtshëm në ditën e madhe të Pavarësisë së Kosovës, si dhe hovin e pandalshëm që kishte, për ndërtimin e shtetit, për ta bërë atë të barabartë në mesin e vendeve të zhvilluara të botës”, ka thënë deputetja Berisha-Shala.
Ajo ka thënë së në Kuvendin e Republikës se Kosovës dhe mekanizmat e tij, Heseti ka dhënë një kontribut te çmuar. “Ishte një bashkëpunëtor konstruktiv me te gjithë koleget deputet. Argumentet ishin zëri me i fuqishëm i Tij. Çdo çështje e trajtonte sinqerisht dhe me seriozitet duke lëne anash kufijtë ndarës partiak”, ka thënë ajo.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)