Bursa hap dyert për studentët e Universitetit të Mitrovicës
Bursë, 25 dhjetor - Mësimdhënësit dhe studentët e Universitetit të Mitrovicës Isa Boletini (UMIB) i kanë dyert e hapura në Bursë.
Këtë garanci e kanë marrë drejtuesit e UMIB-it gjatë takimeve që kanë zhvilluar me zyrtarë të lartë të kësaj komune në Turqi, në ndërkohë që kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin Teknik të Bursës.
Delegacioni i UMIB-it që kryesohej nga rektori, Alush Musaj, është pritur në takim nga guvernatori i Bursës, Munir Karaloglu.
Ai është shprehur i lumtur me interesimin e universiteteve kosovare për bashkëpunim, me çka i hapet rrugë bashkëpunimit edhe në fusha tjera ndërmjet Mitrovicës dhe Bursës.
Gjithashtu një takim delegacioni i UMIB-it ka realizuar edhe me zëvendëskryetarin e Komunës së Bursës, Abdyl Kadir. Ai ka theksuar se Bursa ka krijuar një traditë të bashkëpunimit me Kosovën. Jemi të vendosur që të thellojmë bashkëpunimin tonë. Bursa është shtëpia juaj e dytë dhe mundësitë tona janë edhe mundësitë tuaja, tha ai.
Në takimin e zhvilluar me guvernatorin e Bursës, delegacioni i UMIB-it shoqërohej edhe nga konsulli i nderit i Republikës së Kosovës në Turqi, Fahredin Gulener, i cili ka premtuar të mbështes mësimdhënësit dhe studentët mitrovicas.
Në këtë drejtim ai ka shprehur gatishmërinë që në fabrikat e tij të ofroj mundësi për punë praktike për studentët e UMIB-it.
Në të gjitha takimet e zhvilluara në Bursë, delegacioni i UMIB-it është shoqëruar edhe nga kryetari i Shoqatës Shqiptare atje, Rexhep Gunduz. Ai është shprehur i lumtur me lidhjet që po krijohen mes insiticioneve, universiteteve dhe popullit të Turqisë dhe të Kosovës.
Prej rreth 3 milionë banorëve në Bursë, gjysma janë me prejardhje shqiptare. Vizitat tuaja këtu forcojnë lidhjen tonë dhe hapin mundësi prosperiteti për të gjithë, tha ai.
Në anën tjetër, rektori i UMIB-it, Alush Musaj, është shprehur i impresionuar me pritjen e rezervuar në Bursë.
Dëshiroj ti falenderoj autoritetet e Komunës së Bursës, drejtuesit e Universitetit Teknik të Bursës, konsullin e nderit të Republikës së Kosovës, kreun e shoqatës shqiptare dhe të gjithë Bursën për gatishmërinë e tyre që të ndihmojnë universitetin tonë, tha ai.
Rektori Musaj, tha se Bursa është një mundësi që duhet të shfrytëzohet nga mësimdhënësit dhe studentët e UMIB-it.
Jo vetëm drejtuesit e Universitetit Teknik të Bursës, por edhe autoritetet e Komunës atje, ndërmarrësit privatë etj, janë shprehur të gatshëm që kapacitetet e tyre ti ofojnë në të mirë të mësimdhënësve dhe studentëve tanë.
Vizita e degelacionit të UMIB-it në Bursë ka zgjatur tre ditë.