Bullizmi, motivimi, leximi dhe interneti në shkolla
Prishtinë, 6 prill - Në fillim të muajit mars 2020, nëntë nxënës të klasave XII nga Gjimnazi “Eqrem Çabej” në Prishtinë, nën udhëheqjen e profesorit të Sociologjisë Muhamet Krasniqi, kanë realizuar një anketë me temën “Bullizmi, motivimi, leximi dhe interneti në shkolla” me 977 nxënës të klasave XII nga gjashtë shkolla të mesme të Prishtinës.
Ky hulumtim ka për qëllim të identifikojë se cila është gjendja faktike, prioritetet, qëndrimet, sfidat dhe motivet e nxënësve në raport me bullizmin (ngacmimin), leximin, dukuritë negative, internetin, këshillat për bashkëmoshatarët dhe studimet universitare.
Nëpërmjet identifikimit të këtyre indikatorëve do të adresohen përgjegjësitë tek institucionet përkatëse, shkollat, mësimdhënësit, prindërit, nxënësit dhe mediat, se cilët duhet të jenë hapat që duhet të ndërmerren për ta përmirësuar gjendjen në arsimin parauniversitar, e cila do të manifestohej me ngritjen e cilësisë në mësimnxënie, mirësjellje, tolerancë, respekt të ndërsjellë dhe largim nga dukuritë negative.
Vlen të theksohet se pavarësisht se janë krijuar disa perceptime tek të rriturit se adoleshentët nuk i kushtojnë rëndësi familjes, ata megjithatë e rendisin atë si prioritetin më të lartë në jetën e tyre.
Sa i përket bullizmit dhe dhunës në shkolla, nxënësit mendojnë se dhuna verbale dhe psikologjike është më e shprehur në shkolla, ndërkohë që nevojën për të treguar superioritet, e rendisin si arsyen kryesore përse ngacmojnë bullistët.
Përgjegjësitë kryesore për parandalimin e bullizmit ia adresojnë prindërve, nxënësve, drejtorisë së shkollës, policisë, mësimdhënësve, MASHT-it, komunitetit, DKA-së dhe mediave. Ndërkohë që si masa kryesore që duhet të ndërmerren për parandalimin e dhunës në shkolla i deklarojnë: edukimin familjar (32%), angazhimin e psikologëve në shkolla (29%), përdorimin e masave disiplinore (16%), trajnimet në shkolla për parandalimin e dukurive negative (7%) etj.
Sa i përket arsyeve pse ka rënë motivi për lexim dhe mësim, nxënësit kanë identifikuar dhënien pas teknologjisë (30%), tekstet e vjetra dhe joatraktive (shkollore) me 30%, si dy shkaktarët kryesorë.
Anketues/e në këtë hulumtim ishin: Blearta Ukëhaxhaj, Blend Bunjaku, Venera Kameri, Sonila Pacolli, Marigona Beqiri, Agnesa Brajshori, Yllka Duriqi, Verona Halimi dhe Diellza Ibrahimi.
Anketimi është realizuar në shkollat: “Eqrem Çabej“,“Sami Frashëri“,“Xhevdet Doda“,“Hoxhë Kadri Prishtina“,“Gjin Gazulli“ dhe “28 Nëntori“.