Buja zbuloi pllakë përkujtimore në shkollën 11 Marsi në Prizren
Prizren, 11 mars - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Ramë Buja, i shoqëruar edhe nga kryetari i komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, zbuloi pllakën përkujtimore në oborrin e Shkollës së Mesme të Lartë Teknike 11 Marsi në Prizren, kushtuar nxënësve dëshmorë të kësaj shkolle si dhe emrat e dëshmorëve të datës 11 mars 1999 të rënë në Betejën e Jeshkovës.
Kjo ngjarje u zhvillua edhe në shenjë përkujtimi të protestave studentore të vitit 1981.
Ministri Buja, me këtë rast, tha se me këtë akt ne po i kujtojmë dhe nderojmë dëshmorët e kombit, ata që dhanë më të shtrenjtën për lirinë tonë.
E veçanta e kësaj dite është se sot po përkujtojmë edhe demonstratat e para 32 vitesh që ndodhën në Prishtinë, pra demostartat studentore të vitit 81, të cilat ndërruan mendësinë politike të kohës dhe veprimin, duke ju kthyer kështu vetvetes sonë, ka thënë ministri Buja.
Në vazhdim, ministri Buja në prononcim për media foli edhe për sukseset në arsim gjatë viteve të fundit.
Arritjet janë të dukshme ndonëse mund të ketë edhe dobësi të pakta, por krahasuar me vendet në rajon ne jemi dukshëm më mirë. Por, ne synojmë edhe më shumë, pra synojmë që të jemi të barabartë edhe me vendet e zhvilluara të Evropës sa përket cilësisë, tha ministri Buja.
Për këtë qëllim, theksoi ai, ne jo vetëm kemi zgjeruar hapësirën shkollore, por po aftësojmë mësimdhënësit që ende nuk kishin diplomë të fakultetit.
Po bëjmë avancimin e tyre profesional, po pajisim shkollën tonë me teknologji informative, gjithashtu po bëjmë edhe aftësimin (trajnimin) e mësimdhënësve për programin ECDL si dhe jem në proces të transformimit të Fakultetit të Edukimit, tha ndër tjera ministri Buja.
Ministri i Arsimit, i shoqëruar nga zëvendësministri Usmen Baldzhi dhe këshilltarët Naser Mrasori dhe Arbër Morina, ka vizituar laboratoret e shumta të kësaj shkolle profesionale, me ç`rast bisedoi edhe me nxënësit e drejtimeve (profileve) të ndryshme në këtë shkollë, të cilët njëherësh performuan në praktikë njohuritë e tyre profesionale.