23 Dhjetor 2024

Buja s’ka para për hotel, mysafirët i çon në konvikt

Prishtinë, 17 maj - Buxheti i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës (MASHT) nuk ka mjaftuar që pjesëmarrësit në konferencën vjetore të shkencës “Java e Shkencës 2013”, e cila po mbahet në Prishtinë nga data 14 maj të akomodohen në hotelin “Emerald”, ku po mbahet kjo konferencë apo në ndonjë hotel tjetër në vend.

Në këtë konferencë, ishte paralajmëruar se do të paraqiten me punimet e tyre shkencore 500 autorë dhe bashkautorë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Bullgaria, Sllovenia, Turqia dhe Austria. Një ditë para organizimit të ditës së parë të kësaj konference, në mbrëmjen e 13 majit pjesëmarrësit kanë ngelur në oborrin dhe hollin e hotelit pasi vendet e rezervuara për ta në këtë hotel kanë munguar.

Burime të gazetës “Zëri” thonë se në ora 22:00, të datës 13 maj, është dashur të përgatiten vendet dhe të thirret stafi që të akomodohen pjesëmarrësit e “Javës së Shkencës” nga vendet jashtë Kosovës, dhe gjithë kjo pas një deklarimi të ministrit të arsimit, Ramë Buja se nuk ka buxhet ministria të paguajë akomodimin e tyre në “Emerald” dhe duhet të vendosen në konvikte. “Në mesnatë këta shkencëtar që erdhën në Kosovë u desh të barten në konvikte”, thekson ky burim zyrtar.

Ndonëse, MASHT-i mohon të ketë implikime buxhetore dhe jo planifikim për akomodim të tyre, nga ana tjetër udhëheqës të Qendrës së Studentëve pranojnë se rreth orës 22:00 është dashur të angazhohet stafi për të vendosur në 36 dhoma në konviktin numër 7 pjesëmarrës të konferencës.

Drejtori i kësaj qendre, Fatmir Sfishta ka thënë për “Zërin” se kanë dy pavijone në konviktin 6 dhe 7 për të akomoduar profesorët që vijnë në Universitetin e Prishtinës. Ndonëse, paraprakisht nuk ka marrë nga Ministria e Arsimit kërkesë për të vendosur këta pjesëmarrës -profesor e shkencëtar, dhe i thirrur gjashtë orë pas mbarimit të orarit të punës, Sfishta është dashur të zbatojë urdhrin e dhënë nga “lart”.

Ai tha se për shkak të obligimeve që ka ndaj ministrisë si institucion, ka pranuar që në atë kohë të thërras punëtorët dhe të vendos pjesëmarrësit. “Po kemi 36 dhoma në konviktin nr 7, të cilat janë populluar me pjesëmarrësit e javës së shkencës në Kosovë, kryesisht janë nga Shqipëria dhe Maqedonia, ata që banojnë në Qendrën e Studentëve”.

Sipas tij, arsyeja që i është dhënë për akomodim ka qenë mungesa buxhetore e tyre. “Ne i kemi dy pavijone në konviktin 6 dhe 7, të cilat janë të dedikuara për profesorë që vijnë nga jashtë për çështje studimore në UP. Edhe kjo java e shkencës kemi llogaritur që është në kuadër të asaj dhe thjesht i kemi strehuar. Na kanë thënë që është e mundur që do të vendosen, por nuk na kanë dhënë asnjë siguri apo një dekret të qartë. Në ora 22:00 të natës ose pesë minuta pa u bërë 22:00, më kanë lajmëruar dhe është dashur të ngarkojë stafin që të vijë sepse janë pavijone të veçanta, janë si apartamente me kushte komode”. Sfishta tha se arsyet e tyre janë se nuk kanë pasur mjete.

“Sigurisht janë marrë vesh që dikush të paguajë vet e dikush që t’ua mbulojë ministria, mirëpo, ne jemi në kuadër të ministrisë dhe duhet të zbatojmë urdhrat e ministrisë”, tha Sfishta. Zyrtarët e QS-së dhe ata të MASHT-it japin versione të ndryshme rreth ngjarjes. Përfaqësues të ministrisë thonë se kanë bërë kërkesë tek qendra për akomodim në konvikte, por nuk japin sqarim pse profesorët u vendosën në mesnatë dhe pritën në “Emerald” me orë të tëra.

Zëdhënësi i ministrisë së Arsimit, Arbër Morina, mohon të jetë bërë ndonjë devijim në organizim apo që ministria të ketë implikime buxhetore.

“Ministria ka bërë marrëveshje me Qendrën e Studentëve (QS) që të akomodojë në konvikt në dhoma të veçanta për profesor me kushte të përafërta me ato të hotelit”, ka thënë ai për gazetën, ndonëse nuk ka hedhur poshtë se numri i pjesëmarrësve-profesorëve në Javën e Shkencës është numër i madh dhe i kushton buxhetit të MASHT-it.

Morina ka thënë se MASHT-i nuk po përballet me problem buxhetor dhe se shpenzimi i buxhetit komplet është duke shkuar sipas planifikimit të bërë në fillim. “Departamenti i shkencës kur është bërë planifikimi buxhetor për 2013-në, e ka paraparë dhe organizimin e Javës së Shkencës dhe është paraparë me gjithë buxhet”.

Morina ka mohuar se ministri Buja ka kërkuar të vendosen në konvikte me arsyetimin se kushton shtrenjtë në hotel. Ai thekson se bazimi në logjik e sheh të arsyeshme që ata të rrinë në konvikte me kushte të mira, pasi dhe vet Qendra e Studentëve është dikaster në shërbim të Ministrisë.

/Zëri/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)