Buja priti një grup të nxënësve nga Qendrat Burimore
Prishtinë, 5 maj - Në kuadër të aktiviteteve të Javës së Arsimit për të Gjithë, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Ramë Buja, priti në takim disa nxënës, përfaqësues të Qendrave Burimore në Kosovë, me të cilët foli për sfidat, të cilat po e përcjellin këtë kategori të nxënësve në vend.
Ministri Buja theksoi se, Ministria e Arsimit vazhdimisht është përpjekur që të përmbushë të gjitha obligimet ligjore, sa i përket arsimimit të fëmijëve me nevoja të veçanta.
Ministri Buja theksoi se, personat me nevoja të veçanta janë pjesë e rëndësishme e shoqërisë, ndërsa përmendi punën që MAShT është duke e bërë në procesin gjithëpërfshirjes, si dhe rolin e Qendrave Burimore, në mbështetjen e fëmijëve me nevoja të veçanta, të cilët i ndjekin mësimet në klasa të integruara.
Përfaqësuesit e Qendrave Burimore kërkuan që edhe nxënësit e këtyre shkollave të përfshihen në testin kombëtar, që të shtohet numri i profesioneve për këta fëmijë, sigurimin e hapësirave për salla të sportit, rritjen e fondit për transport, etj
Java e Arsimit për të Gjithë është aktivitet i shpallur nga UNESCO. Iniciativa e kësaj ngjarje që shënohet në shumë vende të botës, rrjedhë nga një konferencë e organizuar në Tajlandë në vitin 1990, ku ishte adresuar çështja e gjithpërfshirjes, në mënyrë që askush të mos mbetet jashtë bankave shkollore.
Tema e sivjetme e Javës së Arsimit për të Gjithë është: Arsimi dhe aftësia e kufizuar, andaj aktiviteti i MAShT është orientuar në organizimin e aktiviteteve ekstrakurrikulare në Qendra Burimore dhe klasë të bashkëngjitura.
MAShT i është bashkuar organizimeve të Javës së Arsimit për të Gjithë që nga viti 2005.