Buja përuroi shkollën e mesme profesionale në Klinë
Klinë, 1 nëntro - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z.Ramë Buja, së bashku me kryetarin e Komunës së Klinës, z. Sokol Bashota, kanë përuruar sot objektin e ri të shkollës së mesme profesionale Fehmi Agani në Klinë.
Ministri Buja, me këtë rast, tha se nuk ka dhuratë më të çmuar për këtë fillim të vitit të ri shkollor se sa përurimi i kësaj shkolle, që është shembull në Kosovë.
Ministri i Arsimit, theksoi se me ndërtimin e kësaj shkolle moderne, mësimdhënësit dhe nxënësit kanë më shumë arsye për të qenë më të motivuar në punën e tyre, në mënyrë që të tregojnë suksese edhe më të mëdha.
Ndërsa, ministri Buja, pasi që përmendi faktin se për ndërtimin e kësaj shkolle, Qeveria e Kosovës ka investuar më shumë se 2 milion euro, theksoi se në komunën e Klinës kanë mbetur vetëm edhe pak shkolla që të renovohen, në mënyrë që të kompletohet infrastruktura shkollore.
Kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota tha se ndjehet mirë që me ndërtimin e objektit të ri shkollor, dy shkollat e mesme të Klinës, tashmë edhe fizikisht janë të ndara, që do të thotë se mund të funksionojnë shumë më mirë se deri tani.
Shkolla ka një sipërfaqe bruto prej 6,318.90 metër katrorë me sallë të edukatës fizike, si dhe terrenet e jashtme sportive, hapësirat gjelbëruese etj.
Ndërsa, objekti shkollor përmbanë këto hapësira: 20 dhoma mësimi, 8 kabinete, 4 laboratorë, sallën e arsimtarëve, kthinat administrative, kthina e bibliotekës me leximore, kthina e psikologut, 2 kthina të personelit, bufeja e shkollës, si dhe hapësira tjera përcjellëse.