Buja në konferencën Ballkani midis lindjes dhe perendimit
Prizren, 5 qershor - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, ka marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së konferencës ndërkombëtare Ballkani midis lindjes dhe perendimit, e cila ka filluar sot në Prizren dhe është organizuar nga Universiteti i Prizrenit Ukshin Hoti në bashkëorganizim me Universitetin e Tiranës, Universitetin Fan Noli të Korçës, Universitetit të Yalovës Turqi dhe Universitetit Balikiserit Turqi.
Punimet e kësaj konference i përshëndeti ministri Ramë Buja, i cili përgëzoi menaxhmentin e Universitetit Ukshin Hoti për punën e mirë që është duke e bërë për ta çuar përpara këtë universitet, e posaçërisht për organizimin e kësaj ngjarje të rëndësishme shkencore në Prizren.
Është nder i veçantë të marrësh pjesë në një event të tillë të shkencës në Ballkan, sepse, në fakt tema bosht e kësaj konference është Ballkani në mes të dy civilizimeve dhe kjo është shumë me rëndësi.
Domosdo se duke qenë në mes dy civilizimeve do marrësh dhe do japësh dhe Ballkani ka marrë dhe ka dhënë nga të dy civilizimet, tha ministri Buja, i cili shprehu besimin e tij se kjo konferencë e hulumtuesve dhe shkencëtarëve, do të japë përgjigje për shumë çështje.
Rektori i Universitetit të Prizrenit, Mazllum Baraliu theksoi se Konferenca është ngjarje e rëndësishme akademike dhe shkencore që ka temë bosht rrjedhat ballkanike në mes të Lindjes dhe Perëndimit, tematikë kjo sa aktuale, edhe e rëndësishme dhe sfiduese, dhe që ka nxitur interesin e studiuesve të shumtë që janë paraqitur në këtë konferencë.
Songul Ozan, Ambasador e Republikës së Turqisë në Kosovë, me këtë rast, ka thënë se kjo konferencë është shumë e rëndësishme që organizohet mes universiteteve shqiptare dhe atyre turke.
Ajo ka thënë se e konsiderojnë Kosovën si shtet vëlla dhe se do të vazhdoj ta mbështes Kosovën në të gjitha aspektet edhe në të ardhmen. Jemi të kënaqur në mes institucioneve dhe universiteteve në mes të dy vendeve tona. Edukimi është çelësi i përparimit dhe investimet në këtë lëmi janë shumë të rëndësishme, ka theksuar ajo.
Në këtë konferencë, fjalë rasti mbajtën edhe ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja dhe rektorë të disa universiteteve nga Kosova, Shqipëria dhe Turqia.
Në këtë konferencë, e cila do të zgjasë tri ditë, po marrin pjesë rreth 300 studiues nga vende të ndryshme. Gjatë ditëve sa zgjatë konferenca, do të paraqiten rreth 260 kumtesa