Buja mori pjesë në mbledhjen vjetore të CEENQA
Prishtinë, 23 maj - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, mori pjesë në mbledhjen vjetore të CEENQA-s (Rrejti i Agjencive të Evropës Qendrore dhe Lindore për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë), të organizuar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA).
Në këtë mbledhje po marrin pjesë agjenci të akreditimit dhe sigurimit të cilësisë nga Evropa Qendrore dhe Lindore si dhe përfaqësues të tjerë nga fusha e arsimit nga Evropa dhe Kosova.
Me këtë rast, ministri Buja falënderoi ekspertët ndërkombëtarë që kanë ardhur në Prishtinë për të sjellë përvojën e radhës në këtë punëtori.
Kosova ka hyrë në rrjetin ENQA me synimin që të jemi pjesë e sistemit të Bolonjës, edhe pse zyrtarisht ende nuk jemi. Mendoj se kemi bërë hapa serioz, që nga viti 2009, kur kemi themeluar AKA-së, që për MAShT-in dhe të gjitha institucionet arsimore në Kosovë ka qenë një lehtësim, duke pas parasysh se kjo Agjenci përbëhet nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët vlerësojë cilësinë në institucionet e arsimit të lartë, u shpreh ministri Buja.
Ministri Buja theksoi se Kosova kishte shumë institucione të arsimit të lartë privat atëherë kur ende nuk ishte themeluar AKA dhe nuk kishin nivelin dhe cilësinë e duhur.
Me punën këmbëngulëse dhe profesionale të AKA-së, ne sot kemi 23 institucione të arsimit të lartë privat dhe 6 universitete publike, tha ministri Buja dhe theksoi se AKA si mekanizëm, por edhe MAShT ka qenë e nderuar kur ENQA i ka bërë vlerësim pozitiv.
Ne, theksoi ministri Buja, jemi përpjekur të bëjmë edhe hapa të tjerë në drejtimin që e synojmë drejt Bolonjës. Ai theksoi se MAShT ka themeluar një komision të veçantë që bën përgatitjen e dokumentacionit për aplikim në sistemin e Bolonjës dhe tha se do të jemi të gatshëm të aplikojmë me kohë në këtë sistem.
Agjencia e Kosovës për Akreditim është anëtare e plotë e CEENQA-s.