Buja merr mbështetje në Londër për arsimin
Prishtinë, 30 janar - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, me ftesë të sekretarit të Shtetit për Arsim në Britaninë e Madhe, Michael Gove, dhe ministrit për Universitete dhe Shkencë, David Willetts, mori pjesë në Forumin Botëror të Arsimit (The Education World Forum), i cili u mbajt në Londër nga data 28 deri më 30 janar 2013.
Gjatë pritjes formale të ministrave në Foreign Commonwalth Office, ministri Buja u takua me sekretarin e Shtetit për Arsim, Rt Hon Michael Gove, të cilin e njoftoi për zhvillimet në fushën e arsimit në Kosovë.
Ministri Buja dhe sekretari Gove biseduan edhe për thellimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit ndërmjet dy shteteve, ndërkaq ministri Buja e falënderoi sekretarin anglez për ndihmën që Mbretëria e Bashkuar i ka ofruar Kosovës vazhdimisht, në të gjitha segmentet, e në vecanti në fushën e arsimit.
Po ashtu, gjatë forumit, ministri Buja ka takuar edhe homologë botërorë, me të cilët ka diskutuar për gjendjen e arsimit në Kosovë, sfidat dhe mundësitë, si dhe specifikat që shtetet e caktuara i kanë në këtë fushë.
Në Forumin Botëror të Arsimit ku temë boshtë është cilësia, sasia dhe ndikimi në arsim, u diskutua edhe për politikbërjen dhe strukturën për mësimdhënie në arsimin parauniversitar, por edhe atë të lartë.
Ministri Buja është takuar edhe më përfaqësues të firmave më të mëdha botërore të TI, sic janë: HP, Intel, Promethean, etj., ku është njoftuar prej së afërmi lidhur me produktet më të reja që këto firma i ofrojnë për efikasitetin dhe rritjen e cilësisë edhe në mësimdhënie, por edhe në mësimnxënie.
Ministri po ashtu u takua edhe me drejtorin rajonal të British Council, Michael Bird, i cili lavdëroi MAShT për bashkëpunimin që ka me British Council dhe që të dy u zotuan që të thellojnë bashkëpunim edhe më shumë.
Gjatë ditës së sotme ministri Buja ka vizituar Universitetin Cambridge, ku nga menaxhmenti u njoftua nga afër me procesin mësimor dhe strukturën e Universitetit. Ministrit Buja ka marrë premtime për thellimin e bashkëpunimit me Cambrigje, me theks të vecantë dhënien e bursave për studentët kosovarë, në nivelin Master dhe PHD.
Ministri Buja dhe menaxhmenti i Cambridge janë pajtuar që së shpejti një delegacion i Universitetit të vizitojë Kosovën, me crast edhe do të nënshkruhet Memorandum Bashkëpunimi për krijimin e rrjetit për shkëmbimin e profesorëve dhe studentëve.
Ministri takoi edhe drejtoren e \'Cambridge Ruskin International College\' prof. Joanne COward, si dhe me studentë shqiptarë që studiojnë në Cambridge.