Buja e Vollebaek për integrimin e pakicave në arsim
Prishtinë, 24 maj - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, ka pritur sot në takim Komisionerin e Lartë për Minoritete, ambasadorin Knut Vollebaek, me të cilin ka biseduar rreth çështjes së integrimit të komuniteteve pakicë në sistemin arsimor të Kosovës.
Ministri Buja fillimisht e ka njoftuar ambasadorin Vollebaek për të gjitha rrjedhat në arsimin kosovar, me theks të veçantë arsimin dhe edukimin e komuniteteve pakicë, numrin e saktë të vijimit të shkollës nga nxënësit e këtyre komuniteteve dhe ndihmesën e ndërsjellë për të realizuar projektin e integrimit të të gjitha komuniteteve në arsimin dhe aftësimin në Kosovë.
Ministri Buja, po ashtu, ka theksuar se është hartuar Kurrikula e re e Republikës së Kosovës, që do të fillojë të pilotohet në disa shkolla të vendit, ndërkohë që komisione të ndryshme janë duke punuar në hartimin e Kurrikulës bërthamë.
Më tej, ministri Buja tha se janë hartuar plan- programet edhe në gjuhët e komuniteteve, ndërkaq në Universitetin e Prishtinës dhe atë të Prizrenit ekzistojnë drejtimet në gjuhët boshnjake dhe turke.
Ministri i Arsimit, ndër të tjera, bëri të ditur se kohë pas kohe realizohen tryeza të ndryshme, të cilat gjithashtu kanë ndikuar në sensibilizimin e komuniteteve romë, ashkalinjë dhe egjiptianë, në përfshirjen në shkollim dhe se falë këtij angazhimi, përqindja e përfshirjes së këtyre komuniteteve në arsim është rritur 14 për qind.
Ndërkaq, ambasadori Knut Vollebaek ka shprehur gjithë gatishmërinë e tij që të ndihmojë në këtë proces, të cilin Ministria e Arsimit është shumë e interesuar që ta avancojë edhe më tej.
Ambasadori Vollebaek gjithashtu i ka dorëzuar ministrit Buja një kopje të draft doracakut Edukata qytetare dhe ndërkulturore në gjuhën shqipe dhe serbe, dedikuar nxënësve të klasave të gjashta. Vollebaek vlerësoi se është shumë e rëndësishme që komunitetet e ndryshme të mësojnë për njëri- tjetrin.
Vollebaek përgëzoi ministrin Buja për angazhimet e tij, ndërkaq shtoi se arsimi është një nga çështjet më të rëndësishme në zhvillimin e një vendi.
Sipas statistikave, në shkollat publike, në territorin e Republikës së Kosovës janë rreth 17. 500 nxënës të komunitetit serb, 5.298 nxënës të komunitetit boshnjak, 3.050 nxënës të komunitetit turk, 1.772 romë, 3.945 ashkalinjë, 1.643 egjiptianë, 43 kroatë dhe 81 goranë. Në të gjitha komunat, ku jetojnë komunitetet e ndryshme, mësimi në shkollat publike fillore dhe të mesme është në dispozicion të plotë të nxënësve për të gjitha pakicat, ku mësimi zhvillohet në gjuhën e tyre amtare.