Buja: Duke krijuar mësues të mirë, krijojmë të ardhmen tonë
Prishtinë, 17 janar - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z.Ramë Buja, ka marrë pjesë sot në inaugurimin e projektit Modernizimi i Shkollimit të Mësimdhënësve në Universitetin e Prishtinës-Med@UP, projekt ky nga Programi TEMPUS në Kosovë.
Ministri Buja u shpreh i kënaqur me fillimin e realizimit të këtij projekti, duke shtuar se fillimit të këtij projekti i paraprin vendimi i Ministrisë së Arsimit i vitit 2012 për reformë në shkollimin e mësimdhënësve në Universitetin e Prishtinës, i cili erdhi falë përkrahjes së madhe të Komisionit Evropian dhe partnerëve të tjerë.
Vendimi për transformimin e Fakultetit të Edukimit, që është përkrahur edhe nga Komisioni Evropian dhe partnerët tjerë, ka qenë një vendim i drejtë dhe përmbajtësor, sepse duke krijuar mësues të mirë e krijojmë të ardhmen tonë të mirë, u shpreh ministri Buja
Ministri Buja, po ashtu, shprehu gatishmërinë për të përkrahur në vazhdimësi zbatimin e këtij projekti, si nismë të mbarë për transformim të Fakultetit të Edukimit.
Ndërsa, rektori i UP-së, Ibrahim Gashi, ka thënë se me këtë projekt synohet që të ngrihet perceptimi i profesionalizmit të pozitës së mësimdhënësit në Kosovë, sipas dispozitave ligjore e që është shkollimi i nivelit master për mësimdhënës.
Përfaqësuesja e BE-së në Kosovë, Sophie Beaumont, nga ana e saj, projektin e mbështetur nga BE e ka cilësuar si shumë të rëndësishëm për ngritjen e cilësisë në aftësimin pedagogjik dhe praktik të mësimdhënësve..
Projekti Modernizimi i Shkollimit të Mësimdhënësve në Universitetin e Prishtinës-Med@UP, do të zbatohet brenda periudhës tri vjeçare, përkatësisht deri në dhjetor të vitit 2016. Financues për këtë projekt është Komisioni Evropian-Programi Tempus, kurse përfitues është Universiteti i Prishtinës.