23 Dhjetor 2024

Buja, bënë thirrje që nesër të fillojë mësimi në Prishtinë

Prishtinë, 10 shkurt - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, ka bërë sot thirrje që nesër (e martë) të fillojë mësimi në të gjitha shkollat e Komunës së Prishtinës, pasi ka bërë publike rezultatet e ardhura zyrtarisht nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKShP), e që flasin për një gjendje normale të nivelit të gazërave në shkollat e kryeqytetit.

“Ne jemi shumë të shqetësuar si ka ndodhur kjo gjendje dhe ju kërkoj falje prindërve dhe nxënësve për konfuzionin që është krijuar pa arsye për këtë çështje, sepse ka mundur që të sqarohet”, tha ministri Buja, i cili paraqiti fakte për të cilat ndërprerja e mësimit ka qenë e paarsyeshme.

“Vendimi i kryetarit të Komunës së Prishtinës ka qenë i ngutshëm dhe jo i vlerësuar profesionalisht. Nuk është interpretuar ashtu siç shkruan UA 07/2012 i Ministrisë së Industrisë dhe Tregtisë për përdorimim e lëndeve djegëse të naftës. Sipas UA 07/2012 neni 8, vlera e lejuar e përmbajtjes seë squfurit në vajin e rëndë për ngrohje është 10.000 ppm, ose 10.000 mg/kg ndërsa, neni 9 i këtij UA thotë se vlera e squfurit në vajrat gazore, të cilat përdoren për ngrohje është  1.000 ppm ose 1.000 mg/kg”, sqaroi ministri Buja.

Ministri Buja theksoi se analizat e bëra nga Komuna në tri shkollat fillore “Asim Vokshi”, ”Sami Frashëri” dhe “Meto Bajraktari” tregojnë se vlera sillet nga 133 deri 692 ppm. “Nga kjo do të thotë se vlerat e kontaminimit as nuk janë përafruar”, tha Ministri.
 

Ndërprerja e mësimit pa konsultim paraprak me MAShT, theksoi ministri Buja, në temperaturë +10 grad celsius dhe në ditën e protestave të studentëve, flet për një vendim politik.
 

“MAShT, gjithashtu, ka marrë interpretim / raport zyrtar nga MTI, ku thuhet se derivatet e naftës të përdorura për ngrohje në shkollat e Prishtinës janë brenda standardeve të përcaktuara me ligjet dhe rregulloret në fuqi në Kosovë”, tha ministri Buja.
 

Ministri i Arsimit, po ashtu përmendi konstantimet e Institutit Kombëtar të Shendetësisë Publike, e që janë: Nafta e analizuar nuk mund të përdoret për motorët për djegie të brendshme, por mund të përdoret si vaj për ngrohje sipas Nenit 9 të UA 07/2012 për Cilësinë e Karburanteve të Lëngëta të Naftës; Nuk ka mundësi të ketë ndotje të ajrit në klasa ngase sistemi i ngrohjes është i mbyllur; Oxhaqet janë në lartësinë e duhur dhe nuk rrezikojnë ambientin shkollor.


Ministri Buja rikujtoi edhe një herë se me Ligjin për Arsimin në Komunat e Kosovës nr. 03/ L  -068, Neni 5, paragrafi e, Kompetencat e Komunave në nivelet 0, 1, 2 dhe 3 të Arsimit Publik (Parashkollor, Fillor, të Mesëm të Ulët dhe të Mesëm të Lartë), është e drejtë e Komunës, mes të tjerash, të merret edhe me shëndetin publik të nxënësve.

“Por, askund nuk figuron në Ligj se Komuna mund t’i mbyllë ato. Kjo e drejtë është e rezervuar për nivelin qendror”, tha ministri Buja, ndërsa theksoi se kryetari i Komunës, respektivisht Drejtoria Komunale e Arsimit është e obliguar të bashkëpunojë me MAShT dhe organet tjera profesionale, që secili ta marrë rolin e vet, gjithmonë duke u mbështetur në legjislacionin në fuqi.

Nëse dyshimet dhe faktet janë të vërteta, atëherë MAShT, si organi qendror, në bashkëpunim me Komunën merr vendim për ndërprerjen e procesit shkollor deri në rezultatin final, apo zgjidhjen e problemit. Bazuar në legjislacionin në fuqi, ndërprerjen e procesit mësimor mund ta bëjë MAShT, në bazë të Ligjit për Arsimin Parauniversitar të nr.04/L-032, Neni 8 paragrafi 6.1,  dhe Neni 5.4 paragrafi b, të Ligjit për Inspeksionin e Arsimit në Kosovë , nr. 2004/37”.

Ndërkaq, ministri Buja ka folur edhe për gjendjen në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe falënderoi e anëtarët e deleguar nga MAShT në Këshillin Drejtues të UP-së për punën e deritanishme, të cilët sot kanë dhënë dorëheqje.

Ndërsa, ministri tha se MAShT do të nxjerrë një Udhëzim Administrativ, me të cilin do të përcaktohen veprimet e mëtejme në këtë Universitet. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)