Brenda dy viteve Sofalia do të bëhet me shkollë
Prishtinë, 30 qershor - Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti mbajti diskutim publik me banorët e lagjes Sofalia.
Të pranishëm në këtë diskutim ishin edhe drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit, Arbërie Nagavci, drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Arben Vitia dhe drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit, Ardian Gashit.
Të pranishmit thanë se deri më tani i kanë dorëzuar 18 kërkesa të ndryshme zyrtare në Komunën e Prishtinës që kanë të bëjnë me zgjerimin e ndriçimit publik në rrugicat e kësaj lagjeje, ndërtimin e një rrethrrotullimit që do zëvendësonte semaforët, ndërrimin e lokacionit të unazës së brendshme të qytetit, si dhe intervenime infrastrukturore që kanë të bëjnë me rrugë dhe kanalizime.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se aktualisht është faza e fundit e përpilimit të buxhetit të Komunës për vitin 2016, andaj, siç u shpreh ai, është e rëndësishme që paraprakisht të diskutohet me banorët e lagjeve që ky buxhet të jetë në përputhje me kërkesat prioritare të tyre.
Ahmeti, njëkohësisht, i informoi të pranishmit edhe për caktimin e lokacionit të shkollës e cila do të ndërtohet për këtë lagje, ndërsa tha se është duke u bërë edhe planifikimi për ndërtimin e një Qendre të Mjekësisë Familjare.
Një prej problemeve kryesore në lagjen Sofalia është mungesa e shkollës dhe tashmë e kemi ndarë lokacionin që do të shkojë në tenderim për projekt. Besojë se brenda dy viteve që Sofalia të bëhet me shkollë. Po ashtu, me kornizën afatmesme është planifikuar që kjo lagje të bëhet edhe me Qendrën e Mjekësisë Familjare (QMF), pasi që tani për tani banorët i marrin shërbimet në QMF në që ndodhet në Velani, tha Ahmeti.
Mirëpo, banorët e pranishëm kërkuan që lokacioni i planifikuar nga Drejtoria e Urbanizmit për ndërtimin e shkollës të rishqyrtohet edhe një herë dhe të kërkohet një vend më i përshtatshëm për fëmijët, gjë që kryetari Ahmeti tha se do ta merr në konsideratë.
Kryetari Ahmeti, në kërkesën e banorëve, i njoftoi ata edhe lidhur me procedurat e procesit të legalizimit duke risjellë në vëmendje se tashmë është bërë regjistrimi i të gjitha objekteve pa leje, ndërsa së shpejti do të fillojë edhe faza e dytë, ajo e aplikimit për legalizim të këtyre objekteve.
Me këtë rast, Ahmeti veçoi se nuk do të trajtohen sipas ligjit për legalizim ato objekte që janë ndërtuar në pronë publike (përveç në rastet nëse është në kontest gjyqësor), si dhe tha se rastet e rënda sociale do të lirohen nga pagesa për hapësira deri në 100 m2.
Në fund të këtij takimi, banorët e kësaj lagjeje kërkuan që të gjinden mënyrat që sa më shpejt të aprovohet Plani Rregullativ Urban për lagjen Sofalia.