Botanika do të jetë çerdhja e parë me bazë në komunitet
Prishtinë, 29 prill - Së shpejti Komuna e Prishtinës do ta vë në funksion të plotë kopshtin e parë për fëmijë me bazë në komunitet, Botanika.
Pas përzgjedhjes së këshillit të prindërve që do të menaxhojnë me këtë çerdhe, gjithashtu është kryer renovimi i objektit, ndërsa aktualisht është duke u bërë inventarizimi dhe furnizimi i çerdhes me mjete didaktike.
Aktualisht, Komuna e Prishtinës është angazhuar në hapjen e dy çerdheve të tjera me bazë në komunitet, siç janë çerdhet në fshatrat Besi dhe Hajvali. Në të dy këto çerdhe është bërë përzgjedhja e këshillit të prindërve, ndërsa është duke u bërë renovimi i objekteve. Po ashtu, planifikohet edhe ndërtimi i tre çerdheve të tjera brenda këtij viti: çerdhja në Arbëri që do të hapet në bashkëpunim me IOM dhe çerdhja në lagjet Kodra e Trimave dhe në lagjen Mati1.
Këshilli i çerdhes në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, me datë 20 prill 2015, ka hapur konkursin për udhëheqës/e të çerdhes së parë me bazë në komunitet, Botanika.
Së shpejti do të hapet edhe konkursi për pranimin e edukatoreve dhe stafit përcjellës, si dhe do të fillojë regjistrimi i fëmijëve.
Të gjithë të interesuarit, mund të aplikojnë duke e dorëzuar dokumentacion e kërkuar në Drejtorinë Komunale të Arsimit.
Konkursi do të jetë i hapur deri me datë 8 maj 2015.