Biznes me pronat e UP-së
Prishtinë, 19 shkurt - Aktmarrëveshje të lidhura midis vetë profesorëve, por edhe profesorëve dhe uzurpatorëve, dëshmojnë shitblerjen e pronave universitare, të cilat shfrytëzohen për banim.
Ish-rektori Mujë Rugova u ka kontribuar këtyre pazareve, duke nxjerrë vendime konform marrëveshjeve të jashtëligjshme të bëra ndërmjet palëve. Menaxhmenti i sapodorëhequr, por edhe administrata e tashme e Universitetit, kanë tentuar ta fshehin këtë pazar me pronat, shkruan sot Koha Ditore.
Gazeta ka mundur të sigurojë vetëm në rrugë jozyrtare një dosje që dëshmon shitblerjen e pronave të Universitetit. Pazareve të këtilla u ka ndihmuar ish-rektori Mujë Rugova. Ai me vendime arbitrare ka përligjur transferimin e së drejtës për shfrytëzimin e këtyre pronave, nga një profesor tek tjetri.
Rugova, ish-rektor i përfshirë në shumë abuzime, në fund të mandatit e ka bërë zot të një banese edhe profesorin Naim Haliti, të cilin atëkohë e kishte emëruar ushtrues detyre të dekanit të Fakultetit të Mjekësisë. /Koha Ditore/