Bexheti e Aliaj, Rexhepi e Tahiri, prorektorë të UP-së
Prishtinë, 25 shtator - Rektori i ri i Universitetit të Prishtinës (UP), Ibrahim Gashi, pritet që shumë shpejt ti bëjë publike emrat e zëvendësve të vet.
Këtë mandat, në bazë të statutit të ri të UP-së, parashihet të jenë katër prorektorë: prorektori për mësimdhënie dhe çështjeve për studentë, për financa dhe infrastrukturë, për kërkime shkencore dhe për bashkëpunim ndërkombëtar.
Rektori Gashi nuk ka dashur të hënën ti komentojë emrat e prorektorëve të mundshëm. Ai ka thënë se emrat e prorektorëve do të bëhen publik deri në fund të kësaj jave. Të premten do ti bëj publike emrat e prorektorëve, ka thënë rektori Gashi.
Një burim i Epokës së re brenda Universitetit të Prishtinës ia ka treguar gazetës emrat e mundshëm të prorektorëve.
Nuri Bexheti do të jetë prorektor për mësimdhënie, Avdullah Aliaj prorektor për kërkime shkencore, Sejdi Rexhepi prorektor për financa dhe Lindita Tahiri prorektor për bashkëpunim ndërkombëtar, i ka thënë Epokës së re një burim brenda Rektoratit të Universitetit të Prishtinës.
Ibrahim Gashi do ta marrë postin e rektorit të Universitetit të Prishtinës më 1 tetor, që shënon edhe fillimin e vitit akademik.