Berishaj nënshkruan Memorandum me Universitetin e İzmirit
Izmir, 2 qershor - Gjatë një vizite zyrtare që rektori Berishaj (u.d.) është duke zhvilluar në İzmir të Turqisë, sot më datë 2.6.2014, u prit në një takim zyrtar nga Rektori i Universitetit Dokuz Eylül të Izmirit, Prof.Dr. Mehmet Füzün.
Qëllimi i këtij takimi ishte nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit, si hap i parë i konkretizimit të bashkëpunimit ndërmjet këtyre universiteteve dhe parasheh forma të ndryshme të bashkëpunimit, duke filluar me këmbim të stafit, studentëve, këmbimit të përvojave akademike, pedagogjike e administrative, organizimin e simpoziumeve dhe konferencave të përbashkëta etj.
Të dy rektorët u pajtuan që do të angazhohen maksimalisht që kjo marrëveshje të mos mbetet vetëm e shkruar në letër, por edhe të jetësohet në praktikë, pasi që ekzistojnë si format ashtu edhe mundësitë e shumta për ti funksionalizuar potencialet akademike dhe pedagogjike të këtyre dy universiteteve në drejtim të bashkëpunimit.
Gjatë kësaj vizite Rektori Berishaj takoi edhe përfaqësues të disa departamenteve të Universitetit Dokuz Eylül, si të Sociologjisë, Historisë, Filozofisë, Arkeologjisë dhe Letërsisë.
Rektori mbajti një ligjeratë rreth historikut, misonit dhe prespektivës ndërkombëtare të Universitetit të Prishtinës. Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për format e ndryshme të bashkëpunimit ndërmjet departamenteve homologe.