Bëhet tërheqja publike e shortit për mbajtjen e Provimit të Maturës Shtetërore
Prishtinë, 6 qershor - Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka bërë tërheqjen publike të shortit për renditjen e mbajtjes së Provimit të Maturës Shtetërore nëpër regjione, ku sipas shortit në regjionin e Prishtinës pjesa e parë e Testit të Maturës do të mbahet më 12.06.2019, në regjionin Ferizajt dhe Gjilanit më 13.06.2019, në regjionin me Prizrenit dhe Gjakovës më 14.06.2019 dhe në regjionin e Pejës dhe Mitrovicës më 1.06.2019.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, me këtë rast ka thënë se, pret administrim të mirë të procesit dhe rezultate të mira në test, ndërsa bëri të ditur që Ministria e Arsimit ka marrë të gjitha masat që të eliminohen të gjitha dobësitë të cilat janë identifikuar në vitin e kaluar.
“Shpresojmë që pas marrjes së informacioneve të renditjes së regjioneve, DKA-të do të fillojnë përgatitjet, në mënyrë që testi të zhvillohet sipas procedurave të parapara. Shpresojmë që edhe këtë vit të kemi mbarëvajtje të testit, pasi që viti i kaluar tregoi se kemi pasur një formë më të mirë të mbajtjes dhe vëzhgimit së testit, duke arritur që të kemi rezultate reale”, ka thënë ministri Bytyqi.
Ministri Bytyqi, po ashtu tha se, pritet që të hapet edhe debat publik për të gjetur formën më të mirë të organizmit të Testit të Maturës, pas debateve publike që janë mbajtur nëpër regjione, për çka edhe Banka Botërore është shprehur e gatshme që të përkrahë MAShT-in në këtë drejtim.
Renditja e regjioneve sipas tërheqjes së shortit do të jetë e njëjtë edhe në pjesën e dytë të Testit të Maturës, e cila fillon më 19.06.2019 në regjionin e Prishtinës, më 20.06.2019 në regjionin e Ferizajt dhe Gjilanit, më 21.06.2019 në regjionin e Prizrenit dhe Gjakovës dhe më 22.06.2019 në regjionin e Pejës dhe Mitrovicës.