Bartës kryesor të inovacionit sipas Projektligjij janë ASHAK dhe Universitet
Prishtinë, 3 prill - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka marrë pjesë sot në dëgjimin publik për Projektligjin për inovacion, shkencë dhe transfer të dijes dhe teknologjisë, ku para deputetëve të Komisionit Parlamentar për Arsim, institucioneve shkencore të Kosovës dhe institucioneve tjera që merren më këtë fushë, ka folur për përmbajtjen e këtij projektligji.
Ministri Bytyqi ka theksuar rëndësinë e madhe që ka Projektligji për MAShT-in dhe për institucionet tjera, puna e të cilave ndërlidhet me këtë projektligj, ndërsa theksoi se debate të tilla do të shërbejnë që projektligji të pasurohet dhe të jetë më funksional.
“Në bazë të këtij projektligji, shihet se secilit institucion të arsimit të lartë në veçanti, edhe ministrive tjera dhe institucioneve, i është dhënë një peshë e veçantë dhe tani në mënyrë institucionale mund të organizohen për zbatimin e projektligjit në momentin kur do të bëhet ligj, por edhe në forma të reja që ne do t’i qasemi në pjesën e inovacionit, teknologjisë dhe transferit të dijes”, tha ministri Bytyqi.
Ndërsa, Ministri theksoi se si bartës kryesor të inovacionit në këtë projektligj është përcaktuar Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës (ASHAK), universitete dhe institucione tjera të arsimit të lartë, institucionet kërkimore-shkencore, qendrat e inovacioneve, kompanitë dhe ndërmarrjet, peronat tjerë fizik dhe juridik vendor dhe të huaj dhe institucione të arsimit parauniversitar.
“MAShT në pritje të aprovimit të këtij ligji, është duke marrë masa të tjera. Ne jemi në një fazë ku Ministria tanimë është bashkëthemeluese e institucionit hulumtues me vendet tjera të Evropës Juglindore."
"Tani iu jepet mundësi institucioneve tona që të mund të japin kontributin shkencor, si dhe të përfitojnë të rinjtë tanë dhe institucionet e ndryshme, duke u bazuar në këtë ligj, që të kenë mundësi të aplikojnë me projekte të ndryshme”, tha ministri Bytyqi.
Duke folur për kompetencat, ministri Bytyqi sqaroi se MAShT menaxhon inovacionin shkencor dhe jo produktin e prekshëm, i cili mund t’i takojë Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.