29 Dhjetor 2024

Bajrami: Rreziqet nga përdorimi i internetit shqetësim global

Prishtinë, 7 dhjetor - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, mori pjesë në Konferencën Rajonale për Mbrojtjen e Fëmijëve nga Rreziqet në Internet, ku u bë prezantimi i rezultateve të projektit PROCON (projekt i financuar nga Bashkimi Evropian), dhe shkëmbimi i praktikave nga vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, në fushën e sigurisë së fëmijëve në Internet.

Në këtë Konferencë, të organizuar nga Qendra e Kosovës për Arsim (KEC), në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), morën pjesë zyrtarë të MAShT, Drejtorive Komunale të Arsimit, mësimdhënës dhe nxënës nga shkolla të ndryshme të Kosovës.

Ministri Bajrami, me këtë rast vlerësoi se, rreziqet që sjellë përdorimi i internetit janë shqetësim global, duke ditur se po jetojmë në kohën e promovimit të teknologjive të reja dhe të mësimit digjital, ku fëmijët kanë një rol shumë të rëndësishëm dhe interneti po shndërrohet në mjet mësimor. “Përmes internetit, Ministria e Arsimit dhe Qeveria e Kosovës mendon të realizojë projektin e shkollave digjitale. Kalimi nga shkolla klasike në një shkollë digjitale dhe moderne do të bëhet me një tranzicion të kujdeshëm, duke i mësuar secilit nxënës dhe secilit mësimdhënës përparësitë që jep interneti, qoftë në mësimdhënie, qoftë në mësimnxënie. Kemi projekte të shumta, në mesin e të cilave është edhe e-matura”, theksoi ministri Bajrami.

Ministri Bajrami, po ashtu tha se, Republika e Kosovës është një vend që ka një qasje të kënaqëshme të fëmijëve në internet, andaj duhet punuar në sigurimin e mekanizmave mbrojtës, e sidomos mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në internet. “Jemi në proces të hartimit të Ligjit për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve dhe Strategjisë Kombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve nga Rreziqet në Internet. Është një mundësi e mirë që interneti të përdoret në të mirë të nxënësve, duke i mbrojtur ata nga përmbajtjet e papërshtatshme dhe nga abuzimet që mund të bëhen përmes internetit, sepse për aq sa jemi të përcaktuar që të reflektojmë qasje të hapur ndaj internetit dhe të promovojmë nxënësit dhe mësimdhënësit e shekullit 21, jemi të obliguar që të sigurojmë mekanizma mbrojtës, në mënyrë që të sigurojmë një edukim të shëndoshë, i cili do t’i bëjë ata qytetarë të denjë”, shtoi ministri Bajrami.

Ndërsa, Sirje Poder nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, foli për rëndësinë e sigurisë së fëmijëve në internet dhe rolin e prindërve, mësimdhënësve dhe profesionistëve të teknologjisë, në krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për fëmijët dhe përdorimin e internetit si mjet për edukim.

Projekti PROCON – Mbrojtja e fëmijëve nga rreziqet në Internet, ka për qëllim të sigurojë mbrojtje më të mirë për fëmijët nga rreziqet në internet, përmes vetëdijesimit, fuqizimit dhe aktiviteteve të bashkërenditura të Qeverisë, Shoqërisë Civile dhe Industrisë për marrjen e masave mbrojtëse.

Në kuadër të projektit është zhvilluar Strategjia pesë-vjeçare Nacionale për Mbrojtjen e Fëmijëve nga Rreziqet në Internet. Projekti ka mbështetur edhe zhvillimin e udhëzuesve informativ për fëmijë, mësimdhënës dhe prindër, të cilat janë përdorur si bazë për organizimin e sesioneve informative/vetedijësuese nëpër shkollat e Kosovës. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)