26 Dhjetor 2024

Bajrami propozon hapjen katedrës së Shqipes në Universitetin e Zagrebit

Zagreb, 20 mars - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami po qëndron për një vizitë zyrtare në Kroaci, ku ka zhvilluar shumë takime me rëndësi për bashkëpunimin me shtetin kroat në fushën e arsimit. Ministri Bajrami sot është pritur nga ministri i Arsimit dhe Sportit të Kroacisë, Vedran Mornar, me të cilin ka biseduar dhe është pajtuar për thellimin e bashkëpunimit në të gjitha nivelet e arsimit.

Ministri Bajrami e ka informuar ministrin Mornar për proceset dhe projektet e MAShT për ngritjen e cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit dhe ka theksuar se ndihma e Kroacisë, si vend anëtar i BE-së dhe eksperienca që ka ky shtet në fushën e arsimit dhe të shkencës, është shumë e rëndësishme për Kosovën. Prandaj, ministri Bajrami i ka bërë ftesë ministrit kroat për të vizituar Kosovën, ftesë të cilën e ka pranuar ministri Mornar.

Po ashtu, ministri Bajrami ka pasur një takim edhe me rektorin e Universitetit të Zagrebit, z. Damir Boras, me të cilin ka biseduar për mundësitë e krijimit të partneritetit të këtij Universiteti prestigjioz dhe universiteteve në Kosovë, për programe të përbashkëta të studimit, në veçanti të programeve të studimeve të doktoratës, për shkëmbimin e stafit akademik dhe profesional dhe mobilitetit të studentëve.

Gjatë këtyre dy takimeve, ministri Bajrami ka propozuar hapjen e katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Zagrebit, propozim ky i cili është mirëpritur nga ministri Mornar dhe rektori Boras.

Ministri Bajrami ka pasur edhe takime tjera të rëndësishme si me drejtorin e CARNet, z. Zvonimir Stanic dhe Drejtorin Regjional i kompanisë Samsung, Z. Danijel Bacelic, ku ministri ka shprehur përkushtimin e MAShT për digjitalizimin e sistemit të arsimit dhe futjen në përdorim të mjeteve të avancuara.

Takime ka pasur edhe mes ministrit Bajrami dhe mësimdhënësve shqiptarë të angazhuar në mësimin plotësues në gjuhën shqipe në Kroaci, të cilët i ka informuar se të hënën (gjatë mbledhjes së dytë të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë), do të nënshkruhen marrëveshje në mes dy shteteve, edhe sa i përket kësaj fushe.

Ministri Bajrami ka takuar edhe studentët shqiptarë që studiojnë në Kroaci. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)