Bajrami priti studentët e dalluar të Universitetit Hasan Prishtina
Prishtinë, 19 shkurt Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka pritur sot studentët e Universitetit Hasan Prishtina në Prishtinë, të cilët këtë vit kanë marrë mirënjohjen Student i dalluar.
Në këtë takim me studentët, ministri Bajrami i ka uruar për suksesin që kanë treguar deri më tani në studime dhe ka premtuar përkrahjen e tij dhe të MAShT për planet e tyre të mëtejshme në përgatitjen akademike.
Ju jeni krenaria e Universitetit, sepse ne po punojmë që të krijojmë kuadro të rinj. Kosova ka një rini shumë inteligjente dhe ne jemi të obliguar të punojmë që të gjithë studentët të jenë të dalluar në mënyrë që të promovojmë shoqëri të zhvilluar për një shtet të fortë, tha ministri Bajrami.
Studentët, theksoi ministri, janë promotorë të zhvillimit të një shteti demokratik, të zhvillimit të shkencës dhe fakti që kemi tani studentët më të mirë të Universitetit të Prishtinës, është një tregues i mirë që ky Universitet meriton të ketë cilësi dhe vetëm cilësi.
Ministri Bajrami tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në ngritjen e cilësisë së arsimit në të gjitha nivelet, e në mënyrë të veçantë po punohet në një program për mbështetjen e universiteteve publike. Ndërsa, ministri po ashtu përmendi faktin se së shpejti do të hapet debati për Ligjin për Arsimin e Lartë, ku ndër të tjerë, do të jenë pjësëmarrës edhe studentët.
Rinia jonë meriton që ëndrrat e veta ti realizojë në Kosovë, ti realizojë brenda universiteteve të forta ku ata ngriten si kuadër, theksoi ministri Bajrami, i cili tha se duhet të punojmë që universitetet tona publike të futen në një garë të konkurrencës për cilësi, e po ashtu të vendoset një rend te institucionet private të arsimit të lartë, në mënyrë që ato të zhvillojnë kapacitetet e veta akademike.
Jemi duke punuar në mekanizma për matjen e cilësisë dhe roli i studentëve në Universitet është kyq. Ne do të faktorizojmë studentin në segmentet që i takojnë, tha ministri dhe përmendi rolin pozitiv historik dhe politik të studentëve në të kaluarën, por theksoi se tashmë është koha që studentët ti kthehen misionit akademik, të bëhen shumë më kërkues dhe më kritik, të bëhen një oponencë për cilësisë dhe ligjshmëri në Universitet.
Në emër të studentëve që kanë marrë mirënjohje si studentë të dalluar të Universitetit Hasan Prishtina, studentja Elsa Bajrami falënderoi Ministrin e Arsimit për përkrahjen që po iu jep studentëve. Çmimi që kemi marrë nga Universiteti dhe përkrahja juaj do të na motivojë më shumë që të punojmë dhe të ndihmojmë në përparimin e Universitetit tonë, por edhe të shtetit tonë.