Bajrami në takimin ministror për Arsim në Sarajevë
Sarajevë, 27 qershor - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami po qëndron në Sarajevë ku po merr pjesë në Takimin e 5-të ministror Platforma e Ballkanit Perëndimor për Arsim dhe Trajnim, në të cilën po marrin pjesë ministriat e Arsimit të vendeve të rajonit dhe ekspertë të arsimit nga Bashkimi Evropian dhe orgainzata tjera ndërkombëtare.
Ky Takim ministror organizohet nga Komisioni Evropian në kuadër të Platformës për Arsim dhe Trajnim për Ballkanin Perëndimor dhe ka për qëllim diskutimin për zhvillimet e arsimit në rajon dhe kontributin e Bashkimit Evropian në përafrim të sistemit të arsimit rajonal me vendet e BE-së.
Në fjalën e tij, gjatë prezantimit të të arriturave në sistemin arsimor, ministri Bajrami përmendi nismat për reformimin e sistemit arsimor në të gjitha nivelet, masat për ngritjen e cilësisë në arsim dhe përshtatjen e tyre me nevojat e tregut të punës.
Në këtë drejtim, Ministri theksoi punën që po bëhet në zhvillimin e standardeve përkitazi me zhvillimin profesional të mësimdhënësve dhe sistemin e vlerësimit të performancës së tyre, aspekte këto shumë të rëndësishme për ofrimin e një arsimimi bashkëkohor.
Ndërsa, duke folur për arsimin e lartë, ministri Bajrami përmendi nevojën për ngritjen e standardeve të cilësisë përmes respektimit të kritereve akademike, si dhe profilizimin e programeve studimore që do ti shërbejnë zhvillimit ekonomik të vendit.
Gjatë qëndrimit në Sarajevë, ministri Bajrami ka pasur edhe disa takime me homologë nga vendet e rajonit, me të cilët ka biseduar për thellimin e bashkëpunimit dhe koordinimit në çështjet e interesit të përbashkët, me theks të veçantë në shkëmbimin e përvojave si dhe për mundësitë e aplikimit të përbashkët në programet e Bashkimit Evropian.