Bajrami ndau certifikata për edukatoret Parashkollore
Prishtinë, 15 prill - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ndau certifikata për 118 edukatore të Institucioneve Parashkollore të Kosovës, në zbatimin praktik të dokumentit Standardet e zhvillimit dhe të mësuarit në fëmijërinë e hershme 0-6 vjeç .
Ministri Bajrami, me këtë rast theksoi se, Kosova është një shtet në të cilin është duke u punuar shumë sa i përket ofrimit të arsimit cilësor në moshën e fëmijërisë së hershme dhe përgatitjen e gjeneratave të shëndosha.
Është prioritet i Qeverisë së Kosovës që çdo fëmijë të përfshihet në kopësht. Ne do të vazhdojmë të mbështesim edukatoret, duke ofruar trajnime të specialazuara për edukatoret e moshës 0- 6 vjeç. Gjithashtu kemi hartuar Kurrikula që korespondojnë me shëndetin mendor dhe fizik të fëmijës, theksoi ministri Bajrami.
Ministri Bajrami, po ashtu tha se janë adaptuar praktikat më të mira nga shtetet e zhvilluara, në mënyrë që të ngriten standardet e edukimit të fëmijëve dhe tu ofrohet edukim cilësor në formimin e personaliteteve të tyre.
Ministri Bajrami, ndër të tjera theksoi edhe rëndësinë e gjithpërfshirjes së fëmijëve në kopshte dhe integrimin e tyre të plotë në klasa.
Laila Omer Gad, shefe e zyrës së UNICEF-it në Kosovë tha se, Kosova ka bërë progres në këtë sektorin e arsimit parashkollor, i cili është qenësor për ofrimin e mirëqenies së fëmijëve.
Ky program trajnimi është rezultat i punës së përbashkët të MAShT, në bashkëpunim me Zyrën e UNICEF-it në Kosovë. Me anë të këtij trajnimi pritet që të përmirësohet kauliteti i shërbimeve si dhe të ngritet numri i përfshirjës së fëmijëve në të gjitha institucionet parashkollore të Kosovës.