27 Dhjetor 2024

Bajrami: Momenti vendimtar për reformë të arsimit

Vlorë, 3 korrik - Në Takimin e katërt ministror të vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili po mbahet në Vlorë, ministri, i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka mbajtur një fjalim për arritjet dhe planet në reformimin e programeve të arsimit të lartë në raport me nevojat e tregut të punës.

Ministri Bajrami, me këtë rast, theksoi se, momenti vendimtar për një reformë të suksesshme të arsimit të lartë është konsensusi politik dhe konsensusi akademik. “Ky konsensus duhet të ndërtohet me një vetëdijësim që një reformë e arsimit të lartë është më tepër një projekt shtetëror dhe kombëtar se sa një projekt politik i një partie”.

Duke folur për autonominë e universiteteve, ministri Bajrami theksoi se qeveritë tona duhet t’iu japin autonominë e plotë financiare dhe akademike universiteteve, por duhet të kërkojnë llogaridhënie për cilësinë e shërbimeve që ofrojnë ato. “Ne duhet të krijojmë mekanizma të qëndrueshëm të ndërtimit të standardeve shtetërore të cilësisë”.

Ministri Bajrami tha se, është koha që universitetet tona të bëhen pjesë e zhvillimit ekonomik të vendit. “Është shumë me rëndësi që sot universitetet të lidhen me indikatorët e nevojave të zhvillimit dhe të tregut të punës”, tha ministri Bajrami, ndërsa përmendi faktin se në Kosovë tashmë është filluar me Bashkimin Evropian studimi i tregut të punës dhe në bazë të këtij studimi do të bëhen edhe reforma në sistemin arsimor.

Për të krijuar një stabilitet te arsimi i lartë, ministri Bajrami tha se, fillimisht na duhet ligjshmëria, pastaj standardet akademike të një qeverisje funksionale, në mënyrë që universitetet të fillojnë të mendojnë për të krijuar fonde për vete duke gjetur forma për t’u lidhur edhe me ekonominë dhe bizneset.

Ministri foli edhe për një hap tjetër që do të ndërmarrë me konkursin e ri për pranim në universitete. “Do ta zvogëlojmë për 30 përqind numrin e studentëve në shkencat shoqërore, dhe 30 përqind do ta rrisim numrin për shkenca teknike, aplikative”.

Në Takimin e katërt ministror i vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili do të përfundojë sot,  po diskutohen zhvillimet e arsimit në rajon dhe kontributi i Bashkimit Evropian në përafrim të sistemit të arsimit rajonal me vendet e BE-së.

Ky takim është  organizuar nga Komisioni Evropian në kuadër të Platformës për Arsim dhe Trajnim për Ballkanin Perëndimor.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)