Bajrami : Kosova po i bashkohet Vlerësimit Ndërkombëtar PISA
Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA) është një vlerësim i jashtëm që matë njohuritë e nxënësve 15-vjeçar në lexim, matematikë dhe shkenca natyrore. Testet e hartuara synojnë të vlerësojnë se në çfarë mase nxënësit mund të aplikojnë njohuritë e tyre në rrethanat e jetës reale dhe se në çfarë mase ata mund të marrin pjesë në shoqëri.
Ministri Bajrami, me këtë rast tha se, sot është një ditë e veçantë për arsimin parauniversitar sepse Kosova po i bashkohet vlerësimit global PISA 2015 , po i bashkohet 72 shteteve ku po bëhet vlerësimi ndërkombëtarë i arritshmërisë së nxënësve.
Ky është një sukses i madh sepse ne jemi pranuar si anëtarë me të drejtë të plotë në Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve PISA 2015 , e përkrahur nga Organizata Botërore për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) dhe se ky është vlerësimi më i besueshëm në botë sa i përket arritshmërisë , theksoi ministri Bajrami.
Ministri Bajrami po ashtu theksoi se, është jashtëzakonisht mirë që testi po administrohet sipas standardeve ndërkombëtare ndonëse rezultatet e këtij testi shpeshherë krijojnë edhe stres në shtetet e ndryshme që janë të zhvilluara ekonomikisht.
Ne do ti marrim realisht këto rezultate sepse kjo do të na ndihmojë të shohim se ku jemi me arsimin në Kosovë, do të na ndihmojnë të shohim segmentet e caktuara në sektorin e arsimit, sepse nuk jemi të kënaqur me rezultatet . Me këtë rast do të shohim se a është faji tek tekstet shkollore, tek metodat e mësimdhënies , te ngarkesa me teori dhe mos aftësimi për shkathtësi praktike i nxënësve, theksoi Ministri Bajrami.
Rezultate do të shpallen vitin e ardhshëm dhe do të jenë rezultate kombëtare , do të krijohet ranglista botërore e rezultateve, ndërsa pritet që Kosova të jetë në nivel të vendeve të rajonit.
Ky test vlerësimi ndërkombëtarë në Kosovë , po bëhet për herë të parë, ndërsa janë 225 shkolla, me rreth 5300 nxënës te moshës 15 vjeçare te përfshirë në këtë proces.
Sot, testi është mbajt në 12 komuna të Kosovës ndërsa në komunat tjera do të mbahet nesër dhe pasnesër ( 16 17 prill2015) .