Bajrami konfirmoi gatishmërinë për fillimin e vitit të ri shkollor
Prishtinë, 24 gusht - Me kërkesë të Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, sot u mbajt takimi me drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit (DKA), ku u diskutua për përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor 2016/17.
Ministri Bajrami, me këtë rast, falënderoi drejtorët e DKA-ve për pargatitjet që kanë bërë për një fillim të mbarë të vitit shkollor në të gjitha segmentet, ndërsa tha se Ministria e Arsimit me kohë i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme.
Duke folur për përgatitjet që janë bërë për një fillim të mbarë të vitit të ri shkollor, ministri Bajrami përmendi edhe përgatitjet për afatin e dytë të Maturës Shtetëore. Jemi marrë vesh me universitetet që ato ti hapin konkurset pas daljes së rezultateve të afatit të dytë të Maturës, për tju dhënë mundësinë edhe këtyre nxënësve që të aplikojnë në arsimin e lartë, tha ai.
Sa i përket teksteve shkollore, ministri Bajrami, theksoi se ka disa risi te tekstet. Ne sivjet dalim me tekste të rishikuara. Janë 86 tekste nga klasa e parë deri në të nëntën, që janë rishikuar nga Komisioni i ekspertëve dhe ndryshimet shkojnë deri në 40 përqind. Janë mënjanuar nga tekstet tona përmbajtjet joprofesionale, të pasakta, gjuha e papërshtatshme dhe cilido lloj diskriminimi që ka ekzistuar në tekste, theksoi ministri, ndërsa tha se kjo është vetëm faza e parë e rishikimit të teksteve, sepse në fazën e dytë, nga viti i ardhshmën do të ketë tekste të reja mbi bazën e kurrikulës së re.
Ministri Bajrami theksoi se këtë vit ka pasur disa probleme sa i përket fondeve për sigurimin e teksteve për nxënësit, por tha se me mirëkuptimin e plotë të Qeverisë është arritur të tejkalohet ky problem dhe nga java e ardhshme të gjitha DKA-të do të jenë në kontakt me MAShT për të bërë pranimin e teksteve, për ti shpërndarë më pas në shkolla.
Po ashtu, Ministri theksoi edhe faktin se sivjet janë përfunduar dhe do të përurohen disa objekte arsimore, ndërsa tha se më pas do të shqyrtohen edhe nevojat për objekte tjera.
Ministri përmendi edhe përfundimin e dokumenteve kurrikulare (Kornizës së Kurrikulës dhe Kurrikulave Bërthamë), dërgimin në Kuvendin e Kosovës të Ligjit për Inspektoratin, punën që po bëhet për implementimin e plotë të Strategjisë për Sigurimin e Cilësisë, vlerësimin kombëtarë të performancës së mësimdhënësve dhe aktivitete të rëndësishme të parapara për realizim gjatë këtij viti shkollor, të cilat kanë për synim rritjen e cilësisë.
Ministri Bajrami theksoi se, jemi në përfundim të procesit të rekrutimit të stafit. MAShT është duke e monitoruar në tërë Republikën e Kosovës këtë proces dhe Inspektorati i Arsimit do të dalë me një raport final për rregullsinë e këtij procesi në mënyrë që pranimet të bëhen mbi bazën e meritave, mbi bazën e legjislacionit dhe mbi bazën e nevojave.
Jemi në përfundim edhe të disa procedurave për zgjedhjen e drejtorëve, tha Ministri, dhe kërkoj që çdokush në procesin mësimor të zgjidhet vetëm mbi bazën e meritave dhe të shmangim cilëndo përpjekje të ndikimit politik.