Bajrami: Erasmus+ është një mundësi e mirë e bashkëpunimit
Prishtinë, 5 nëntor - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka marrë pjesë në hapjen e Seminarit dyditor për bashkëpunim në Erasmus+ ndërmjet vendeve Nordike e Baltike dhe Ballkanit Perëndimor.
Duke qenë se Seminari ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit në arsimin e lartë në mes të vendeve pjesëmarrëse në program, ministri Bajrami, tha se Erasmus+ është një mundësi e mirë e bashkëpunimit me qëllim të arritjes së standardeve evropiane në sferën e arsimit të lartë.
Erasmus+ është një mundësi e shkëlqyeshme që ne të ndërtojmë partneritete në disa fusha e të mundësojmë një mobilitet akademik, që të mundësojmë një shkëmbim të profesorëve e studentëve, që të shkëmbejnë përvojat e mësimdhënies moderne, që të punojmë bashkarisht në avancimin e kurrikulave të arsimit të lartë dhe në një mënyrë të marrim përvojat e universiteteve dhe praktikave të mira, sa i përket sistemit të ndërtimit të cilësisë në Universitet.
Zyrtarja për Politika e Komisionit Evropian për Arsim dhe Kulturë, znj. Helene Skikos, tha se objektivi kryesor i këtij projekti është që të modernizojë dhe ndërkombëtarizojë institucionet e arsimit të lartë në Kosovë. Ne duhet të përmirësojmë cilësinë këtu dhe çdokund tjetër. Bota po ndryshon, ashtu si edhe mënyra se mësimit. Prandaj, ne duhet t i përshtatemi kohës, tha ajo.
Gjatë seminarit dyditor ofrohen informata mbi programin Erasmus+ si dhe rreth sistemit të arsimit të lartë të vendeve pjesëmarrëse. Përmes këtij seminari do të lehtësohen procedurat e bashkëpunimit dhe gjetjes së partnerëve për bashkëpunim në projektet Erasmus+.
Seminari është organizuar nga zyra Nacionale e Erasmus+ në bashkëpunim me Zyrën e Komisionit Evropian në Bruksel, vendet Nordike dhe Baltike dhe Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.