Bajrami: Drejtorët e shekullit 21 duhet të posedojnë cilësi
Prishtinë, 28 maj - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka marrë pjesë në prezantimin e raportit të katërt statistikor të Programit për Arsim Themelor të USAID-it, i cili tregon për mbështetjen e ofruar për shkollat dhe komunat si dhe detajet për numrin e pjesëmarrësve dhe mjetet e shpërndara nëpër shkolla.
Motoja e këtij Programi është Zhvillimi i Shkathtësive të Nxënësve të Shekullit 21 me Shkollat dhe Komunitetin.
Ministri Bajrami, me këtë rast, tha se ky është një rast i mirë që të shpalosim rezultatet e punës së deritanishme në projektin e ngritjes së shkathtësive të shekullit 21.
Ministri Bajrami tha se drejtorët e shekullit 21 duhet të posedojnë tri cilësi: ta duan shkollën dhe të jenë pedagogë të mirë, të jenë menaxherë të mirë, dhe të jenë inovativ. Të gjitthë ata që kanë kaluar nëpër këtë projekt kanë mundur ti shohin këto qasje të profilit të drejtorit të mirë.
Ministri Bajrami vlerësoi edhe faktin se projekti ka aftësuar edhe mësimdhënës me kurse të ndryshme. Nuk dëshirojmë një shkollë monotone, por duam shkolla që kanë komponentën e mësimdhënies, e që janë edhe tërheqëse dhe argëtuese, ku fëmijët me dëshirë shkojnë aty.
USAID-i, tha ministri, po ndihmon shumë në sektorin e arsimit dhe modernizimit të këtij sektori përmes krijimit të aftësive të mira për mësimdhënës dhe për menaxhimin e shkollës. Ky është edhe orientimi ynë, sepse jemi të vendosur si Qeveri e Kosovës që të shënojmë përparimet në cilësi në arsim
Drejtori i Misionit të USAID-it në Kosovë, z. James Hope theksoi se çdo progres është i suksesshëm vetëm në qoftë se ka partneritet të suksesshëm, andaj bashkëpunimi në arsimin bazik do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Në përgjithësi, Programi ka themeluar 25 Qendra për Ngritje Profesionale (QNP) në 24 komuna partnere. Deri më sot, afër 613 shkolla janë përfshirë në Program. Në kurset për zhvillim profesional, afër 21 mijë pjesëmarrës kanë përfunduar kurset e ofruara.
Programi do të vazhdojë të ofrojë kurse për zhvillimin profesional për më shumë drejtorë të shkollave dhe mësimdhënës, si dhe të ofrojë pajisje arsimore gjatë vitit të tij të fundit.
Programi për Arsim Themelor është një partneritet pesëvjeçar i financuar nga USAID dhe Qeveria e Kosovës dhe i themeluar nga FHI 360 në partneritet me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë si dhe Qendrën për Arsim të Kosovës.