Bajrami bisedoi me inspektorët për ngritjen e cilësisë në arsim
Prishtinë, 3 mars Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka takuar sot inspektorët e arsimit, me të cilët ka biseduar për programin qeveritar për arsim, për rolin dhe punën e inspektorëve në drejtim të rritjes së cilësisë dhe planet për të forcuar këtë shërbim.
Ministri Bajrami theksoi se roli i inspektorëve në ngritjen e cilësis në arsim është jashtëzakonisht i madh, prandaj premtoi se do ti përkrahë fuqishëm ata në punën e tyre. Insepektorati i arsimit është një prioritet i Qeverisë dhe i MAShT dhe unë do të punoj shumë në forcimin e kapaciteteve të inspektoratit, në zhvillimin e kapaciteteve dhe në riorganizimin që e kemi filluar.
Para inspektorëve të arsimit, ministri Bajrami prezantoi planet e Qeverisë, respektivisht Ministrisë dhe i njoftoi ata më detajisht me programin qeveritar për të gjitha nivelet e arsimit, i cili pritet të miratohet shumë shpejt.
Ministri foli edhe për rolin e inspeksionit për reformat në arsim, sidomos në sigurimin e cilësisë dhe mbrojtjen e standardeve kombëtare në sferën e arsimit, ndërsa u ndal edhe te riorganizimi i inspektoratit, pasi që theksoi se jemi në prak të përfundimit të punës me Ligjin për Ispeksionin e Arsimit, ku Inspektorati do të ketë një pavarësi dhe do të shndërrohet në Agjenci shumë të fuqishme.
Dëshirojmë të punojmë me të gjitha kapacitetet, me ju së bashku, në çdo shkollë e deri të universitetetet, të punojmë në mekanizmat e cilësisë, të vendosim standarde kombëtare të cilësisë, por edhe standarde kombëtare të monitorimit të cilësisë, tha ministri Bajrami, ndërsa theksoi se do të punojmë në një program të ngritjes së cilësisë në të gjitha nivelet.
Ministri Bajrami theksoi se është i vogël numri i inspektorëve të arsimit (56 gjithsej), prandaj tha se do të rrisë numrin e tyre
Sa i përket monitorimit të cilësisë në arsim, ministri Bajrami tha se do të ndërtohen tri shtylla: Shtylla kryesore është inspektorati do të jetë agjenci shtetërore e pavarur. Shtylla e dytë është Agjencia e Akreditimit e Kosovës dhe shtylla e tretë Agjencia për Teste. Këto tri shtylla nëse e kryejnë detyrën e vet, e vendosim cilësinë në monitorim, detyrojmë shkollat dhe universitetet që ta rrisin cilësinë, sepse ato do të jenë të mbikëqyrura.
Për të realizuar reformat në arsim, ministri Bajrami tha se tashmë janë siguruar donacione shumë të mëdha ndërkombëtare dhe përmendi finalizimin e projektit të Bankës Botërore në vlerë prej 11 milion dollarë.