Bajrami: Arsimi profesional i rëndësishëm për Kosovën
Prishtinë, 25 qershor Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami priti në takim përfaqësuesit e tri ambasadave në Kosovë, Gjermanisë, Norvegjisë dhe Luksemburgut, ambasadorin e Kosovës në Gjermani, Skender Xhakaliu, si dhe partnerët kryesorë në Arsimin dhe Aftësimin Profesional.
Ministri Bajrami, me këtë rast theksoi rëndësinë e progresit të arsimit profesional në Kosovë, si një nga detyrat kryesore të Qeverisë së Kosovës, sa i përket fushës së arsimit.
Ministri Bajrami, bëri të ditur se tashmë është themeluar grupi punues teknik, i cili do të merret me çështjen e reformimit të arsimit profesional.
Duke rishikuar legjislacionin aktual të Arsimit dhe Aftësimit Profesional, grupi teknik do të propozojë ndryshimet në legjislacion, duke harmonizuar politikat kombëtare dhe ato të shteteve të BE-së dhe duke bërë standardizimin dhe profilizimin e AAP-së, si dhe hartimin e kurrikulave të përshtatshme për këtë fushë, theksoi ministri Bajrami.
Ndërsa, sekretarja e parë e Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë, znj. Henriette Kotter, theksoi se Qeveria e Gjermanisë në vazhdimësi e ka mbështetur zhvillimin e arsimit profesional në Kosovë dhe do të vazhdojë ta mbështesë edhe në të ardhmen, me qëllim që në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit të krijohet një vizion i ri për të ardhmen e AAP-së.
MAShT së bashku me partnerët pjesëmarrës në takim, u dakorduan që fillimisht të bëhet një analizë e gjendjes aktuale në fushën e menaxhimit të AAP-së dhe pastaj të shkohet me planifikimin e hapave konkret drejt përshtatjes së AAP-së me nevojat e tregut të punës.