Bahtiri premton përmirësimin e kushteve të punës në shkolla
Mitrovicë, 8 janar - Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i shoqëruar nga nënkryetari, Safet Kamberi dhe drejtoresha e Arsimit, Ajmane Barani, ka vizituar të mërkurën disa shkolla fillore dhe te mesme me rastin e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë shkollor.
Ai u njoftua se gjysmëvjetori i dytë ka filluar në të gjitha shkollat e komunës pa probleme.
Gjatë këtyre vizitave Bahitiri, premtoi mbështetje për përmirësimin e kushteve të punës nëpër shkolla.
Gjatë takimit me nxënësit dhe mësimdhënësit e gjimnazit Frang Bardhi dhe me ata të shkollës së mesme ekonomike Hasan Prishtina, kryetari Bahtiri, kërkoi nga nxënësit që të mësojnë për tu përgatitur për të ardhmen e Kosovës.
Ne si autoritete komunale do të punojmë ditë e natë që të rritet cilësia e arsimit në Mitrovicë në mënyrë që ju ta keni të ardhmen e sigurt.
Ai u premtoi nxënësve që pasi ata të përgatiten profesionalisht do ti kenë të sigurta vendet e punës. Obligimi juaj është që të mësoni dhe të përgatiteni profesionalisht për tregun e punës, ndërsa ne do të ndihmojnë duke ju përmirësuar kushtet, tha ai.
Në takim me mësimdhënësit e gjimnazit Frang Bardhi, Bahtiri dëgjoi për problemet me të cilat përballen ata, si mungesa e kabineteve dhe e pajisjeve për punë praktike, për të cilat premtoi se do të rregullohen brenda një afati të shkurtër kohor.
Ndërsa në shkollën e mesme ekonomike, kryetari Bahtiri, vizitoi nxënësit që ishin duke ndjekur orët profesionale.
Në ndërkohë drejtoresha e Arsimit, Ajmane Barani, ka vizituar disa shkolla fillore në rajonin e Shalës së Bajgores, ku është njoftuar me gjendjen e objekteve shkollore dhe fillimin e gjysmëvjetorit të dytë.
Më këtë rast, ajo ka shpërndarë dhurata simbolike për nxënësit e shkollave fillore të dhuruara nga kompania Vipa-chips.