31 Mars 2023

Avokati i Popullit thekson se cilësia e arsimit nuk është në nivelin e duhur

Prishtinë, 11 nëntor - Avokati i Popullit publikoi Raportin ex-officio nr.331/2022 lidhur me përafrimin e dispozitave të sistemit të arsimit të përgjithshëm parauniversitar të Kosovës me të drejtat e fëmijëve në arsim.

Raporti ka pasur për qëllim vlerësimin e pjesëmarrjes së fëmijëve, gjithëpërfshirjen e institucioneve arsimore dhe rëndësinë e arsimit që ofrohet në Kosovë dhe për të përcaktuar nëse ato shërbejnë për ta përmbushur të drejtën e fëmijëve në arsim, si një e drejtë themelore e njeriut.

Kosova në përgjithësi ka arritur pjesëmarrje pothuajse universale në arsimin e përgjithshëm parauniversitar, me përjashtim të arsimit parashkollor, ku të dhënat janë jashtëzakonisht të ulëta, përkundër disa përmirësimeve në rritje në vitet e fundit.

Ndërsa për sa i përket përfshirjes në arsim, pavarësisht mungesës së madhe të resurseve, raporti konstaton se shkollat janë përgjithësisht gjithëpërfshirëse dhe pranuese për të gjithë nxënësit, si dhe më miqësore dhe më të hapura ndaj diversitetit krahasuar me një dekadë më parë.

Raporti nxjerr në pah po ashtu sfidat dhe problemet në sistemin arsimor në Kosovë, siç është mungesa e mundësisë për nxënësit që t’u zhvillohet potenciali i tyre sipas nevojave dhe aftësive të tyre, në pajtim me dispozitat kushtetuese.

Të gjithë treguesit, nga hetimi i dokumentacionit dhe gjetjet nga hulumtimi empirik, tregojnë se sistemi arsimor i Kosovës është larg nga ofrimi i këtyre mundësive.

Shqetësuese mbetet rezultati i PISA-s në arsim në përgjithësi. Avokati i Popullit thekson se cilësia e arsimit nuk është në nivelin e duhur për t’i përgatitur nxënësit për jetën, duke nënvizuar të drejtën individuale dhe subjektive për një cilësi specifike të arsimit, sipas nenit 29 të Konventës mbi të Drejtën e Fëmijës.

Avokati i Popullit gjithashtu konstaton se pjesëmarrja dhe integrimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe me vështirësi në të nxënë në arsimin e rregullt ka shënuar progres, mirëpo është ende larg përfshirjes së të paktën 50 për qind të këtyre fëmijëve në arsimin e ofruar.

Po ashtu, situata nuk është e mirë kur bëhet fjalë për pjesëmarrjen në arsim të fëmijëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Përkundër përparimeve të bëra në përmirësimin e pjesëmarrjes së fëmijëve të këtyre komuniteteve, ata ende mbeten dukshëm prapa komuniteteve të tjera, veçanërisht në arsimin parashkollor dhe në atë të mesëm të lartë.

Ngjashëm, sistemi arsimor është ballafaquar me problemin e mungesës së teksteve shkollore për mësim në gjuhët boshnjake dhe turke, i cili pjesërisht është zgjidhur, por që ka nevojë për përmirësim.

Avokati i Popullit ka sugjeruar rekomandime për autoritetet përgjegjëse, në këtë rast për Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, si dhe rekomandime për komunat e Kosovës, në mënyrë që të ndërmarrin masa për përmirësimin dhe promovimin e të drejtave të fëmijës për arsim.

Kalendari

Ngjarjet e datës 31 mars 2023

- Me rastin e shënimit të 24 vjetorit të masakrës së Burimit, Komuna e Malishevës organizon akademi përkujtimore. (Salla e Kuvendit të Komunës së Malishevës, ora 11:00)

- Lëvizja FOL organizon konferencë me ç’rast do të prezantohen gjetjet nga monitorimi i publikimit të vendimeve nga gjykatat e Kosovës për vitin 2022, si dhe në bazë të këtyre gjetjeve do të ndahet “Çmimi për Gjykatën më Transparente” - për dedikim të vazhdueshëm në ngritjen e transparencës përmes publikimit të vendimeve gjyqësore. (Swiss Diamond Hotel, ora 11:00)

- Kryetari I Federatës Sindikale te Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi do të mbaj konferencë për shtyp lidhur me protestën dhe grevën e punëtorëve teknik të këtij spitali që veq ka filluar para dy ditësh. (Spitali Isa Grezda në Gjakovë, ora 11:00)

- Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë diskuton lidhur me kërkesën për zhvillim të diplomacisë parlamentare nga Qendra për Studime Politike dhe Diplomatike. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 11:00)

- Mbahet manifestimi përkujtimor me rastin e 24-vjetorit të vrasjes dhe masakrimit të 106 civilëve në fshatin Pastasel të komunës së Rahovecit. (Kompleksi i Martirëve, Pastasel, ora 11:00)

- Zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku Bërdyna, mbanë konferencë për media. (MAShTI, ora 11:30)

- Kryetari i Komunës së Malishevës Ekrem Kastrati bën homazhe në varrezat e martirëve në fshatin Dragobil dhe të Kompleksi në vendin e ngjarjes Vrella e Mëhillit. (Fshati Burim, ora 12:00)

- Lidhja Demokratike e Kosovës mban konferencë për medie. (Selia qendrore e LDK-së,  ora 12:30)

- Komuna e Prishtinës përuron hapësirën e dedikuar për sigurinë e nxënësve dhe komunitetin në hapësirat përreth Shkollës Fillore “Elena Gjika”. (Afër shkollës, ora 13:00)

- Komiteti Olimpik i Kosovës organizon Asamblenë e Punës për vitin 2022. (Hotel Emerald, ora 17:00)