Avancohen supermenët e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike
Prishtinë, 23 korrik - Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka bërë të ditur se sot në mbledhjen e Senatit të Universitetit të Prishtinës është vendosur pozitivisht për të gjithë kandidatët e propozuar nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike.
Mesatarja e numrit të publikimeve për një kandidat të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike për një vit del 5.5, që është pesëfishi i publikimit të kolegëve të tyre në Norvegji të cilët në fushën e njëjtë ka 0.96 publikime shkencore në vit për profesor.
ORCA ka vendosur që t’i ofrojë shansin publikut që të gjykojë lidhur me atë se a janë këta profesorë gjeni apo kanë ushtruar ndonjë veprimtari që është në shpërputhje me integritetin akademik.
Tetë kandidatë janë avancuar në profesorë të rregullt, duke marrë kontratë të përhershme me Universitetin e Prishtinës. Nga tani e tutje, këta profesorë nuk i detyrohen më universitetit sa i përket avancimit të tyre akademik, shkencor dhe profesional. Këta profesorë janë:
Ahmet Shala (18 punime në një vit e gjysmë)
Azem Kycuku (12 punime në një vit e gjysmë)
Mirlind Bruci (10 punime në një vit)
Naser Lajqi (10 punime në një vit e gjysmë)
Nexhat Qehaja (9 punime në një vit e gjysmë)
Rame Likaj (19 punime në një vit e gjysmë)
Rexhep Selimaj (7 punime në një vit e gjysmë)
Xhevat Berisha (15 punime në një vit e gjysmë)
Shumica e punimeve të këtyre profesorëve janë në tre revista. Për këto tri revista ORCA ka zbuluar se: keqinformojnë për indeksimin e tyre, përmendin indeksim në databaza të shuara që një kohë të gjatë, nuk e tregojnë adresën e tyre, keqinformojnë për përdorimin e softuerit antiplagjiaturë – ndërkohë që është e lehtë të gjendet plagjiat nga Wikipedia në publikimet e tyre.
Për më tepër, njëra nga këto revista sipas ORCA e ka botuesin të listuar si të dyshimtë dhe me shkelje serioze të Parimeve të Transparencës dhe Praktikave të Mira për Botues Shkencor.
Megjithatë edhe rektori Marjan Dema edhe e ashtuquajtura trupë e tij “këshilldhënëse” i kanë rekomanduar këta profesorë për avancim.
Madje rektori Marjan Dema sipas ORCA-s në mbledhjen e sotme të Senatit ka folur për numrin rapid të publikimeve si dukuri e veçantë mirëpo ka thënë se ata i plotësojnë kriteret formale.
Meqë është kështu, ORCA i bën thirrje UP-së dhe Ministrit të Arsimit që të mos shpenzojë para për Senatin, por që punët e tij t’ia lenë ORCA-s pasi vlerësime të tilla teknike mund të bëjë edhe ORCA.