Avancimi i arsimit në vend, prioritet i Qeverisë
Prishtinë, 2 tetor -“Arsimimi i duhur i gjeneratave të reja në vend është objektiv i Qeverisë së Kosovës dhe projektet që kanë të bëjnë me këtë fushë do ta kenë mbështetjen time”, kështu tha Kryeministri Ramush Haradinaj pasi priti në takim Angus Bjarnson, Drejtor në detyrë në British Council në Kosovë dhe Shqipëri.
Në këtë takim u bisedua për projektin “Shkollat e Shekullit 21”, projekt ky që është lansuar në Kosovë vitin e kaluar dhe i cili ka për qëllim që t’i trajnoj mësimdhënësit e vendit në temat si mendimi kritik dhe zgjidhja e problemeve, të mësuarit digjital dhe përdorimi i pajisjes mikrobit.
Kryeministri Haradinaj pasi e njoftoi Bjarnson për zhvillimet e fundit në vend, me theks të veçantë në fushën e arsimit tha se Qeveria e vendit po përballet me sfida në këtë drejtim dhe se çdo projekt që ka për qëllim të avancojë këtë fushë tejet të rëndësishme do ta ketë mbështetjen e tij dhe të Qeverisë që ai drejton.
“Ne jemi munduar që të përkrahim çdo nismë që ka për qëllim të avancoj gjendjen e arsimit në vend. Në këtë fushë projekti i British Council është tejet i nevojshëm dhe ju falënderojmë për këtë”, tha Kryeministri Haradinaj.
Pajisja mikrobit, pjesë e projektit “Shkollat e Shekullit 21”, është pajisje për kodim e zhvilluar nga Microsoft dhe BBC e cila është përdorur në shkollat e Britanisë së Madhe para dy viteve.
Në Kosovë ky projekt është lansuar vitin e kaluar në dhjetë shkolla, momentalisht është duke u implementuar në 10 shkolla të tjera në fazën e dytë derisa faza e ardhshme do t’i përfshijë të gjitha shkollat në Kosovë.
Pjesë e këtij takimi ishte edhe Ministri i Arsimit i Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O'Connell dhe Koordinatorja e Projekteve në British Council, Nita Qena.