Atomistët do të jenë liderë të së ardhmes
Prishtinë, 30 maj - Projekti ATOMI, i cili merret me identifikimin dhe përkrahjen e nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme, ka bërë përzgjedhjen e 54 atomistëve të rinj, në kuadër të ciklit të katërt të funksionimit. Projekti ATOMI gjatë këtij cikli, ka identifikuar nxënësit nga klasa VIII deri në të XII-ën, që përfshijnë të gjithë fëmijët e Shkollave të Mesme të Larta në Kosovë.
Sa jam krenar me ju, aq edhe jam i zhgënjyer me kushtet që ju ofrojnë shkollat, pasi është e qartë se fëmijët me inteligjencë nuk mjafton vetëm ajo që ju merrni nga shkollat, por nevojiten edhe kushte shtesë që ju të arrini të realizoni veten tuaj, u tha ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Z. Arsim Bajrami 54 atomistëve të përzgjedhurve.
Ministri Bajrami, po ashtu shprehu mbështetjen e plotë të Ministrisë së Arsimit për Projektin ATOMI dhe kërkoj nga Projekti që të punojë edhe në identifikimin e hershëm te fëmijëve me inteligjencë të jashtëzakonshme, duke filluar qysh nga klasat e para te shkollimit fillor.
Ministri i Arsimit, u shpreh se synimi i ministrisë që ai drejton, është arsimi cilësor, me një theks te veçantë në arsimin e fëmijëve me inteligjence te jashtëzakonshme dhe talentëve. Ju, atomistët do të jeni liderë të së ardhmes dhe do të jeni ndryshues të mentalitetit dhe të të menduarit në shoqërinë tonë, u tha Ministri Bajrami nxënësve të identifikuar nga Projekti ATOMI.
Në kuadër të takimit, janë zbuluar po ashtu edhe të dhënat dhe rezultatet e ciklit të katërt të Projektit ATOMI.
Pas procesit të nominimit/aplikimit, të gjithë aplikuesit e ciklit të katërt, gjithshej 1028, i janë nënshtruar një procesi tre-fazësh të seleksionimit, i cili është realizuar përmes përdorimit të testeve të standardizuara të inteligjencës, me norma britanike dhe amerikane, që i bie se IQ e të përzgjedhurve është e krahasueshme me popullatën e këtyre dy vendeve.
Gjatë ciklit të IV të Projektit ATOMI:
- Janë përzgjedhur gjithsej 54 atomistë nga mbarë Kosova.
- Të përzgjedhurit janë nga 15 komuna të ndryshme të Kosovës.
- Prej të përzgjedhurve janë 21 femra (39%), ndërsa 33 janë meshkuj (61%).
- Prej të përzgjedhurve janë 53 shqiptarë dhe 1 i komunitetit egjiptas.
- Të përzgjedhurit janë të grup-moshës prej 12-17 vjeç
- Dominojnë fëmijët e moshës 13 dhe 14 vjeçare.
Mbikëqyrësi Profesional i Projektit ATOMI, Nait Vrenezi ndërkaq foli për aktivitetet e Projektit ATOMI, me të përzgjedhurit e rinj. Profesor Vrenezi, sqaroj nisjen e fazës së përkrahjes për fëmijët inteligjentë që do të fillojë nga 1 korriku me kampin veror, e cila do të zgjasë për 2 javë në Kosovë dhe Shqipëri. Fëmijët e identifikuar nga Projekti ATOMI, janë një promilëshi i shoqërisë Kosovare, që i bie 1 në 1000 bashkëmoshatarë të tyre, sqaroj Prof. Vrenezi.
Nga Tetori, Projekti ATOMI do të fillojë me Shkollën + me kurse të avancuara, e cila do të dizajnohet në bazë të nevojave dhe interesimeve të atomistëve të rinj. Kjo shkollë organizohet gjatë të shtunave.
Përvec kampit veror dhe Shkollës +, atomistëve (fëmijëve me inteligjencë të jashtëzakonshme) synohet që tju sigurohet këshillim dhe përcjellje e vazhdueshme, mentorim nga profesionistët, qasje në literaturë të avancuar, , avancim në shkollim, vizita studimore, ndërmjetësim për bursa, etj... Të gjitha shërbimet e sipërpërmendura ofrohen falas nga Projekti ATOMI.