Atomi shpërblen më të mirët e Garës Ndërkombëtare të Matematikës
Prishtinë, 26 maj - Instituti ATOMI me autorizimin e Asociacionit Kangourou Sans Frontières (AKSF) e ka organizuar Garën Ndërkombëtare të Matematikës Kangaroo në Kosovë – Math Kangaroo Contest - Kosovo (MKC-K).
Në Garën Kangaroo në Kosovë, të mbajtur më 17 mars 2018 kanë marrë pjesë mbi 5000 nxënës të klasëve të ndryshme nga mbarë Kosova.
Instituti ATOMI dhe MKC-K kanë vendosur që nxënësit që kanë arritur rezultat së paku 65% e më shumë (gjithsej 55 nxënës) në Garën Kangaroo 2018 në Kosovë t’i përzgjedhin si përfitues të shërbimeve dhe aktiviteteve përkrahëse për zhvillimin e talentit të tyre në fushën e matematikës, posaçërisht për ofrimin e kurseve të avancuara të matematikës nga profesionistët e fushës, në përputhje me moshën dhe talentin e tyre në matematikë.
Me këtë rast, me qëllim të ndarjes së Certifikatave të Suksesit për këta nxënës dhe ndarjes së Çmimeve për më të suksesshmit e kësaj gare në nivel kategorie dhe në nivel vendi, do të organizohet një Ceremoni solemne, në të cilën do të marrin pjesë këta 55 nxënës së bashku me prindërit e tyre, Ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi, zyrtarë arsimorë, mësimdhënës, etj..
Ceremonia do të mbahet sot në Prishtinë, në Sallën e Kuqe të Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.