ATOMI hapë konkurs për identifikimin e inteligjentëve në Kosovë
Prishtinë, 30 mars - Instituti ATOMI, i cili ka për qëllim identifikimin dhe përkrahjen e personave me inteligjencë të jashtëzakonshme (atomistë) në Kosovë ka hapur konkurs për përzgjedhjen e atomistëve të rinj.
Mundësi aplikimi kanë të gjithë nxënësit prej klasës VIII deri XII nga të gjitha shkollat e Kosovës.
Nxënësit mund të nominohen nga prindërit apo familja, nga mësimdhënësit, nga shoqëria, apo të vetë-nominohen.
Pas procesit të aplikimit, aplikuesit do ti nënshtrohen një procesi disafazësh të seleksionimit, i cili do të realizohet përmes përdorimit të testeve të standardizuara të inteligjencës, nga i cili do të përzgjidhen nxënësit më të mirë (që e plotësojnë kriterin e përcaktuar nga Instituti ATOMI për të qenë atomist), të cilëve synohet që tju ofrohen shërbime dhe aktivitete të ndryshme përkrahëse, si: kurse të avancuara Shkolla+, vizita studimore, orientim në karrierë dhe këshillim psikologjik, takime me profesionistë dhe personalitete të shquara, qasje në literaturë të avancuar, klub të atomistëve për aktivitete të përbashkëta, aktivitete kulturore, sociale, sportive e rekreative, etj..
Të gjitha shërbimet dhe aktivitetet përkrahëse për atomistët do të ofrohen falas nga Instituti ATOMI.
Afati i konkursit për nominim aplikim zgjatë një muaj, prej 30 mars deri më 30 prill 2017. Të interesuarit për të aplikuar vet apo për të nominuar dikë, të gjitha informatat dhe detajet e nevojshme të konkursit mund ti gjejnë në faqen e internetit të Institutit ATOMI në lidhjen në vijim: https://atomi-ks.org/apliko-te-atomi.