ATK realizoi seminar për nxënësit e shkollave të mesme në Gjakovë
Prishtinë, 4 dhjetor - Administrata Tatimore e Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, si dhe Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Gjakovës, ka mbajtur Seminar një ditor për nxënësit, konkretisht maturantët e Shkollave të Mesme, me temën Sistemi Tatimor në Kosovë.
Qëllimi i këtij seminari ishte edukimi i nxënësve/maturantëve, lidhur me funksionimin e sistemit Tatimor në Kosovë.
Prezantimi është mbajtur për tri grupe të nxënësve në amfiteatrin e Gjimnazit Hajdar Dushi në Gjakovë. Pjesëmarrës në këtë seminar ishin nxënësit/maturantët e Shkollave të Mesme, si: Gjimnazi Hajdar Dushi, Shkolla e Mesme Ekonomike Kadri Kusari, Shkolla e Mesme Nexhmendin Nixha, si dhe Qendra për Aftësim Profesional Gjon Nikollë Kazazi.
Temat të cilat u prezantuan/trajtuan në këtë seminar, ishin: Çfarë janë tatimet?, Si mblidhen tatimet?, Çfarë janë taksat?, Cilët janë Trupat Administrativ Tatimor?, Llojet e tatimeve, Normat tatimore, Përmbushja e detyrimeve tatimore, Parimet bazë të ndërtimit të një sistemi tatimor, Lehtësitë në pagesë të tatimeve, Vetëdijesimi për të marrë kuponin fiskal dhe Linja e bashkëpunimit pa pagesë. Po ashtu, gjatë prezantimit, nxënësve/maturantëve iu mundësua ndjekja e spoteve të përgatitura nga ATK.
Gjatë këtij seminari, nxënësit parashtruan pyetje të ndryshme lidhur me temat e prezantuara. Për të gjitha pyetjet e parashtruara nga pjesëmarrësit, janë ofruar përgjigje adekuate.
Nxënësve u janë shpërndarë materiale informuese nga ATK, si: Fletëpalosjet dhe Broshurat: Informata të Përgjithshme për Administratën Tatimore të Kosovës, Të drejtat dhe obligimet e Tatimpaguesit, Pyetje Përgjigje për TVSh, TAK, TAP, Informata për Borxhin Tatimor, Udhëzues mbi paraqitjen e informacioneve mbi Evazionin tatimor, Korrupsionin apo sjelljet jo të mira të stafit të ATK-së, Instalo Pajisje Fiskale dhe lësho Kupon Fiskal, Të Ardhurat tuaja janë objekt tatimi, Mbajë dokumentacionin sipas Ligjit dhe Regjistrohu, deklaro dhe paguaj tatimin.