Asistentët ligjërojnë në vend të profesorëve
Prishtinë, 14 korrik - Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim ORCA ka prezantuar sot raportin e dytë Dembelët e Hasan Prishtinës.
Rron Gjinovci, kryetar i ORCA-s shprehet se raporti bazohet në monitorimin sistematik të Fakultetit Ekonomik, Filozofik, dhe Juridik gjatë tre muajve të fundit. Sipas Gjinovcit, janë monitoruar konsultimet, ligjëratat dhe provimet në këto tri fakultete.
Pjesa e parë e raportit Dembelët e Hasan Prishtinës që merret me konsultimet në këto tre fakultete është publikuar në muajin maj. Përgjatë muajit maj është vazhduar me monitorimin e mbarëvajtjes së ligjëratave sipas orareve zyrtare të këtyre fakulteteve të shpallura nga Universiteti i Prishtinës.
Hulumtimi vë në pah mosrespektimin e orarit të punës nga një pjesë e stafit akademik. Sipas të gjeturave të hulumtimit, nga 1177 ligjërata sa janë monitoruar në tri fakultetet e përfshira në hulumtim, 218 apo 18,5% prej tyre nuk janë mbajtur për shkak të mosprezencës së profesorëve.
Po ashtu, gjatë muajit qershor ORCA ka monitoruar mbarëvajtjen e provimeve, ku janë monitoruar nga 20 provime për Fakultetin Ekonomik, Filozofik dhe Juridik; në total 60. Nga këto 60 provime, 4 nuk janë mbajtur fare, 14 janë mbajtur nga asistentët ose profesorë të tjerë, dhe 15 kanë filluar me vonesë më shumë se 15 minuta.
Gjinovci thotë se për ta parë edhe nga perspektiva e studentëve situatën rreth mbarëvajtjes së mësimit: konsultimeve, ligjëratave dhe provimeve, ORCA ka administruar një pyetësor te 92 studentë të të tri fakulteteve me pyetje që kanë të bëjnë me konsultimet, ligjëratat, provimet si dhe disa pyetje të përgjithshme për cilësinë e Universitetit të Prishtinës si institucion i arsimit të lartë.
Sipas Gjinovcit, rezultatet e pyetësorëve tregojnë se përshtypja e studentëve është se në universitet mbretëron një gjendje relativisht e dobët e organizimit.
Nga 92 respondentë, 74 kanë thënë që ligjëratat mbahen me rregull sipas orarit zyrtar. Nga 92 respondentë, 76 kanë thënë që ka ndodhur që asistenti ka ligjëruar në vend të profesorit çka përbën shkelje të Statutit të UP-së. Nga 92 respondentë, 37 kanë thënë që ekziston mjaft hapësirë/salla për të zhvilluar provimet, ndërsa 55 kanë thënë që nuk ka mjaft hapësirë/salla për ti zhvilluar provimet, thotë Gjinovci.