25 Dhjetor 2024

ASHAK: Veprimet e rektorit, shpresë për zhvillime pozitive

Prishtinë, 5 dhjetor - Udhëheqja e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës ka reaguar të premten lidhur me zhvillimet në Universitetin e Prishtinës.

ASHAK vlerëson se e tërë kjo situatë tendosjeje në UP ndërlidhet me praktikat e gjata të ndërhyrjeve të ndryshme, të drejtpërdrejta a të tërthorta, nga jashtë në punën e këtij institucioni të pavarur.
Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës thekson se tensionimet e fundit kanë marrë përmasa shqetësuese.

“Pasojat e një gjendjeje të atillë, bashkë me ritmet e paharmonizuara të zhvillimeve e sollën UP-në në një gjendje të vështirë, me rreziqe për proceset e ligjshmërisë në funksionimin e tij”, thuhet në kumtesë.

Sipas ASHAK, zgjedhja e rektorit të ri, Ramadan Zejnullahu dhe veprimet e tij në drejtim të respektimit të ligjshmërisë dhe të stabilizimit të gjendjes të përcjellë me çrregullime për vite të tëra janë një shpresë për zhvillime të reja në drejtim pozitiv në këtë institucion të rëndësishëm arsimor-shkencor të Kosovës dhe të rajonit.

“Jemi të ndjeshëm dhe për kërkesat dhe nevojat e shtresave të ndryshme të popullsisë, sidomos të pasardhësve të pjesëmarrësve të UÇK-së në luftën e viteve 1998-99, por besojmë se shoqëria dhe institucionet munden dhe duhet të gjejnë rrugë për mbështetjen e tyre duke krijuar rrethana për respektimin e ligjshmërisë dhe të pavarësisë institucionale të Universitetit të Prishtinës, ashtu si të të gjitha institucioneve të tilla në vend. Ligjshmëria dhe puna e përgjegjshme institucionale në UP janë thelbësore dhe vetëm respektimi i plotë i tyre mund të krijojë rrethana edhe për mbrojtjen e interesave të shtresave të ndryshme dhe të tërë Kosovës”, thuhet në deklaratë.

ASHAK më tej shkruan se në historinë e këtij vendi, UP ka luajtur rol shumë të rëndësishëm.

“Prekja e themeleve të tij, që është të qenit institucion i pavarur i arsimit dhe shkencës, vatër e dijes dhe e emancipimit të përgjithshëm të Kosovës dhe të rajonit, mund të lërë pasoja që nuk merren me mend në zhvillimet e mëtejme. Prandaj bëjmë apel tek institucionet e shtetit që të ndërmarrin çdo gjë për të krijuar rrethana sa më të përshtatshme infrastrukturore, po edhe në fushën e burimeve njerëzore e profesionale-shkencore, në mënyrë që UP-ja të jetë në gjendje t’i zgjidhë vetë dhe në mënyrë të pavarur kërkesat e rritura gjithë duke e ngritur cilësinë”, thuhet në deklaratë.

Sipas ASHAK, ndërhyrjet nga jashtë, tensionimet si këto të fundit dhe kërcënimet ndaj Rektorit që po bën përpjekje serioze për stabilizimin e gjendjes vetëm sa e thellojnë krizën në këtë institucion vital edhe për funksionimet e tjera në vend.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)