Arsimtari Beqë Metë Tahiraj merr çmimin vjetor "Shaban Jashari"
Prishtinë, 6 mars - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka ndarë sot çmimin vjetor "Shaban Jashari" për mësimdhënësin e dalluar të vitit, i cili këtë vit i është ndarë Beqë Metë Tahiraj, arsimtar i Matematikës në Shkollën e Mesme Teknike Tafil Kasumaj në Deçan.
Ky çmim është ndarë për performancën pozitive të mësimdhënësit model, komunikimit të dalluar me nxënës, prindër dhe rezultate të mira. Gjithashtu, ministri ndau mirënjohje edhe për mësimdhënës të tjerë të dalluar, nga një mësimdhënës për secilën komunë.
Këto mirënjohje u ndanë në ceremoninë solemne të organizuar me rastin e 7 Marsit - Ditës së Mësuesit, nga ku ministri Bajrami uroi mësimdhënësit në gjithë Kosovën për këtë ditë të veçantë
Ministri Bajrami me këtë rast theksoi se, mësuesit tanë kanë luajtuar rol të rëndësishëm në procesin e shtetndërtimit, përmes edukimit të brezave të shumtë.
Mësimdhënësit janë personat kryesor nga të cilët varet e ardhmja e të rinjve. Kjo festë, ndërlidhet me Epopenë e lavdishme të UÇK- së, andaj Ministria e Arsimit ka vite që ka themeluar çmimin e mësuesit të vitit me emrin e heroit tonë kombëtar Shaban Jashari, i cili ishte figurë unike e modelit të mësimdhënësit, që edukoi të rinjtë në frymën e atdhedashurisë dhe me shembullin e tij tregoi se si mbrohet atdheu, tha Ministri.
Ministri Bajrami iu shprehu falënderime të gjithë mësimdhënësve të Republikës së Kosovës për rolin e tyre historik, për faktin se nuk u dorëzuan asnjëherë para sfidave në të cilat u ndodh vendi ynë. Ata rezistuan dhe janë heronjë e vërtetë të të gjitha kohërave, u shpreh ai.
Qeveria e Kosovës, theksoi Ministri, është duke punuar në dhënien e rolit të merituar për mësimdhënësit, për ti stimuluar ata që të ballafaqohen me sfidat e mësimdhënies moderne.
Mësimdhënësi, i cili pranoi çmimin Shaban Jashari, z. Beqë Metë Tahiraj theksoi se Kosova ka shumë mësues të mirë, megjithatë tha se ndjehet krenar për këtë çmim dhe falënderoi ministrin Bajrami dhe MAShT-in.